Bashkia e Durrësit ka filluar turin e dëgjesave publike me qytetarët në lidhje me katër zonat për zhvillim të përcaktuara në qytetin bregdetar dhe miratuar me vendim të këshillit të ministrave. Dëgjesa e parë u zhvillua me banorët e njësisë administrative 6, aty ku ndodhet zona e rindërtimit nr.4. Në këtë dëgjesë publike ka marrë pjesë kreu i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj dhe zyrtarë e ekspertë të Bashkisë së Durrësit që kanë prezantuar përpara qindra banorëve të zonës të gjitha etapat që do të ndiqen deri në zhvillimin dhe rindërtimin në këto zona. Kryebashkiaku Varfaj pasi bëri një prezantim edhe të gjithë punës së deritanishme të bashkisë në drejtim të ringritjes pas tërmetit shkatërrues e vuri theksin tek zonat e zhvillimit që shërbejnë jo vetëm për të përballuar nevojat për strehim të familjeve te prekura nga tërmeti por do të jenë edhe një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të ekonomisë së qytetit tonë. Zonat do të ofrojnë gjithashtu shërbime me njësi shërbimi, parkim, infrastrukturë, objekte publike, hapësira publike, qendra social- kulturore, qendra shëndetësore dhe arsimore. Interesimi i banorëve të zonës ka qenë mjaft i lartë dhe ata kanë ngritur një sërë pyetjesh dhe problematikash lidhur me këto zona rindërtimi e sidomos me zonën 4 që i përket njësisë së tyre administrative. Katër zonat për zhvillim në Durrës janë: zona 1 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5, zona 2 në lagjen 18 në njësinë administrative 4, zona 3 në lagjen 14 në Shkozet në njësinë administrative 5 dhe zona 4 në zonën e spitallës në njësinë administrative 6. Turi i degjesave me qytetaret per zonat e reja te zhvillimit do te zhvillohet edhe ne njesi te tjera administrative te bashkise se Durrësit.