Bashkia e Durrësit ka vijuar turin e dëgjesave publike me qytetarët në lidhje me katër zonat për zhvillim të përcaktuara në qytetin bregdetar dhe miratuar me vendim të këshillit të ministrave. Dëgjesa publike e rradhës u zhvillua në njësinë administrative nr.5 aty ku ndodhen dy nga katër zonat për zhvillim që janë gjithsej në Bashkinë e Durrësit. Në këtë njësi administrative ndodhen zona e rindërtimit 1 dhe zona 3. Kreu i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj dhe zyrtarë e ekspertë të Bashkisë së Durrësit kanë njohur banorët pjesëmarrës me zonat e zhvillimit dhe janë ndalur veçanërisht në dy zonat që i përkasin kësaj njësie. Kryebashkiaku Varfaj ka shpjeguar rëndësinë e këtyre zonave të rindërtimit jo vetëm për banorët e dëmtuar nga tërmeti por për të gjithë qytetin pasi këto zona zhvillimi janë lagje tërësisht të reja me gjithë infrastrukturën e nevojshme. Banorët e kësaj njësie kanë zhvilluar diskutime të shumta dhe i kanë drejtuar pyetje të ndryshme kryebashkiakut dhe stafit të tij lidhur me këto zona zhvillimi por edhe me stadin aktual të punës që po bëhet në qytet për rindërtimin. Turi i këtyre dëgjesave publike do të vijojë edhe në njësi të tjera administrative të Durrësit.