Kryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Durrësit kanë zhvilluar një tjetër dëgjesë publike në lidhje me zonat e zhvillimit me banorë të njësisë administrative nr. 6 të qytetit të Durrësit. Kryebashkiaku Varfaj deklaroi se keto degjesa do të jenë të shumta dhe bëhen me qëllim marrjen e mendimit dhe sugjerimet e qytetarëve sesi mund të jetë zhvillimi i këtyre zonave në mënyrë që ato të reflektohen në planet e detyruara vendore. Varfaj shtoi se katër zonat e rindërtimit që ka Durrësi do të shërbejnë jo vetëm për të përballuar nevojat për strehim të familjeve te prekura nga tërmeti por do të jenë edhe një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të ekonomisë së qytetit tonë. Qytetarët e pranishëm në dëgjesën publike shprehën mendimet e tyre përsa i përket zonave të reja të zhvillimit duke shfaqur interes për infrastrukturën, institucionet sociale dhe ato shëndetësore mjediset e gjelbëra dhe korsitë e biçikletave. Nga ana tjetër kryebashkiaku i Durrësit, Varfaj dhe stafi i tij deklaruan se këto zona të rindërtimit do të jenë zona moderne banimi dhe përveç banesave të reja për qytetarët, do të ofrojnë gjithashtu shërbime me njësi shërbimi, parkim, infrastrukturë, objekte publike, hapësira publike, qendra social- kulturore, qendra shëndetësore dhe arsimore, mjedise të gjelbëra dhe rekreative.