Turi i dëgjesave publike për zonat e reja për zhvillim që po zhvillon bashkia e Durrësit ka vijuar në njësinë administrative të Sukthit. Në këtë dëgjesë ka marrë pjesë nënkryetarja e Bashksië së Durrësit Emiriana Sako dhe zyrtarë e specialistë të kësaj bashkie. Qindra banorë të kësaj zone kanë bërë pyetje dhe janë interesuar gjerësisht për procesin e rindërtimit dhe mënyrën si do të ndërtohen zonat e reja për zhvillim. Në fjalën e saj nënkryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, deklaroi se zonat e rindërtimit do të  përballojnë nevojat për strehim të familjeve te prekura nga tërmeti dhe do të ofrojnë gjithashtu shërbime duke krijuar lagje dhe qendra të reja të zhvillimit në qytet. Sako theksoi se rindërtimi do të nisë nga familjet më të prekura dhe që sot janë të detyruara të jetojnë në cadra pasi nuk mund të shkëputen nga puna me tokën. Po kështu u theksua fakti që zonat e reja për zhvillim do të jenë zona model urbane dhe do ti shërbejnë jo vetëm strehimit të banorëve por edhe ekonomisë së qytetit.