Bashkia e Durrësit dhe ndërmarrjet e saj të Shërbimeve Komunale, Komunale Plazh, Ndërmarrja Rruga, Reparti i Zjarrfikësve, Ujësjellës-Kanalizimet dhe Policia Bashkiake me të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore po punojnë me orë të zgjatura në shërbim të qytetit dhe qytetarëve në luftën kundër përhapjes së virusit COVID 19. 

Prej datës 10 mars vazhdon me rigorozitet  zbatimi i planit të masave kundër përhapjes së virusit. Rrugët po lahen dhe më pas dezinfektohen, çdo rrugë e mjedis publik në qytet dhe njësitë administrative Manzë, Ishëm, Sukth, Katund i Ri dhe Rrashbull.  Institucione publike, arsimore, shëndetësore e fetare, pemë e mjedise të gjelbëra, vendgrumbullimet e mbeturinave, çdo vend lahet, pastrohet dhe dezinfektohet. 

Po kështu Policia Bashkiake dhe Administrata e Tregut Agrobujqësor kanë marrë masa që të gjithë tregtarët të jenë me mjete mbrojtëse dhe qytetarët të respektojnë distancat ndërkohë që tregu pas orarit të mbylljes pastrohet dhe dezinfektohet. Në kuadër të masave kundër ndotësve të mjedisit Policia Bashkiake zbaton detyrat për të bërë të mundur respektimin nga ana e qytetarëve dhe subjekteve të të gjitha rregullave të vendosura nga qeveria si dhe ka vendosur gjoba për ata që nuk respektojnë rregullat për hedhjen e mbeturinave. 

Nga ana tjetër UKD funksionon me kapacitet të plotë për të mirëmbajtur të gjithë rrjetin hidrik dhe për të garantuar furnizimin normal me ujë të popullatës ndërsa ndërmarrja Rruga po kryen riparimet e nevojshme në të gjitha akset rrugore. 

Bashkia e Durrësit vijon detyrat e saj në zbatim të planit të masave dhe i bën apel qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve shtetërore.