Në kuadër të procesit të rindërtimit janë prishur tre ndërtesa pjesë përbërëse të shkollës “Njazi Mastori” në Sukth. Këto objekte janë prishur në bazë të ekspertizës së thelluar të Institutit të Ndërtimit që ka përpiluar një listë me objekte publike e private në Durrës që duhen shembur sepse kanë dëmtime të pariparueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Punimet për shembjen e shkollës në Sukth i ka inspektuar kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako si dhe drejtori i Institutit të Ndërtimit Agron Hysenlliu. Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se rindërtimi nuk ka ndaluar pavarësisht pandemisë: “Rindërtimi nuk ka ndaluar pavarësisht pandemisë. Jemi në shkollën "Njazi Mastori" në Sukth për të filluar procesin e prishjes së godinave, nisim me këtë shkollë, por edhe në Ishëm po prishen edhe dy qendra shëndetësore. Në bashkinë Durrës do të prishen 15 godina arsimore pasi kanë dëme të rënda nga tërmeti dhe 7 të tjera do të rikonstruktohen.” Shkolla “Njazi Mastori” dhe dy qendrat shëndetësore që u shembën në Ishëm do të ndërtohen të reja me fondet e qeverisë shqiptare. Kryebashkiakja Sako deklaroi se krahas procesit të rindërtimit Bashkia e Durrësit vijon në mënyrë rigoroze edhe me masat në kuadër të luftës ndaj Covid 19. Po kështu Sako deklaroi se vazhdon ndihma ndaj familjeve në nevojë, pensionistëve të vetmuar, të papunëve si dhe familjeve që jetojnë në çadra si pasojë e tërmetit ku deri tani janë ndihmuar 3000 familje ndërkohë që procesi vazhdon.