Stampa

Vijon me ritme të shpejta operacioni i rindërtimit në Bashkinë e Durrësit ku deri tani IMT i ndihmuar nga reparti i zjarrfikësve dhe policia bashkiake kanë shembur 6 shkolla, 1 kopësht dhe 2 qendra shëndetësore. Të gjitha këto objekte ishin dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Ato janë prishur pas vendimeve të këshillit bashkiak i cili ka vendosur në bazë të akt konstatimeve të thelluara të Institutit të Ndërtimit në Tiranë që rekomandon prishjen e këtyre objekteve pasi ato janë të pariparueshme. Deri tani janë shembur shkollat 9-vjeçare “Naim Babameto”, “Qemal Mici” dhe “Hasan Koçi” në Durrës, “Xhelal Shtufi” dhe shkolla e mesme “Rexhep Mezini” në Ishëm dhe dy godina, njëra kopshti e tjetra shkolla me emrin “Njazi Mastori” në Sukth. Objektet arsimore që do të shemben në bashkinë e Durrësit si pasojë e dëmeve të pariparueshme nga tërmeti përfaqësojnë thuajse të tërë nivelet e arsimit parauniversitar që nga shkolla të mesme, 9-vjecare e deri në kopshte apo konvikte. Në të njëjtat vende të gjithë këto objekte arsimore do të ndërtohen të reja dhe do të kenë standarte të larta bashkëkohore me ambiente moderne që do t'u ofrojnë kushte optimale nxënësve dhe mësuesve. Operacioni i rindërtimit në Bashkinë e Durrësit vazhdon me godina të tjera publike dhe private.