Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako është takuar me ambasadorin e Katarit në vendin tonë Ali bin Hamad Al-Marri. Takimi është zhvilluar gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore qe shteti i Katarit në koordinim me Qendrën e Katarit për bamirësi ka sjellë për 500 familje në nevojë dhe jetimë të Durrësit. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako falënderoi Ambasadorin Ali bin Hamad Al-Marri dhe Shtetin e Katarit për mbështetjen e vazhdueshme dhe qëndrimin përkrah Shqipërisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi dhe banorëve të Durrësit në veçanti: “E falenderoj dhe i jemi shumë mirënjohës mikut tonë ambasadorit të Katarit por edhe të gjithë popullit të Katarit që na janë gjendur pranë në çdo fatkeqësi, para katër vitesh kur ndihmuan banorët e zonave të përmbytura por edhe vitin e kaluar kur Durrësi u godit nga tërmeti si edhe tani në këtë kohë të vështirë pandemie. E vlerësojmë shumë kontributin e miqve tanë që po ndihmojnë 500 familje në nevojë të qytetit tonë. Mirënjohje ambasadorit dhe shtetit të Katarit që na ka qëndruar pranë gjithmonë, gjë që dëshmon për miqësinë midis dy vendeve tona dhe shpresoj në një bashkëpunim të ngushtë edhe në të ardhmen midis bashkisë së Durrësit dhe shtetit të Katarit në dobi të qyteti tonë.” Nga ana e tij Ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri deklaroi se Shteti i Katarit i qëndron në krah Durrësit dhe Republikës së Shqipërisë në të gjitha rrethanat, veçanërisht në këtë periudhë të vështirë: “Ne kemi qenë pranë jush dhe do t’ju mbështesim gjithmonë. Dua të shpreh ngushëllimet për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre nga virusi Covid-19 dhe ju siguroj që do të jemi pranë familjeve në nevojë në këto ditë pandemie. Dua t’ju siguroj që shteti i Katarit ka qenë dhe do të jetë pranë jush në çdo moment”. Ambasadori Ali Al-Marri deklaroi se edhe në vijim shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Durrësin dhe gjithë vendin tonë jo vetëm për të ndihmuar familjet në nevojë por edhe për projekte të rëndësishme në fushën sociale.