Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka vizituar disa nga kopshtet dhe çerdhet e qytetit ku ka uruar edhe fëmijët me rastin e 1 qershorit. Sako së bashku me urimin për 1 qershorin ka dhënë edhe një lajm të mirë për fëmijët dhe prindërit e tyre. Meqënëse disa kopshte e çerdhe janë prishur si pasojë e tërmetit, kryebashkiakja Sako deklaroi se puna për rindërtimin e tyre me standarte bashkëkohore do të nisë menjëherë dhe brenda vitit fëmijët do të hyjnë në kopshte e çerdhe të reja. Megjithëse festa është ndryshe nga vitet e tjera për shkak të situatës së pandemisë e cila i ka detyruar fëmijët të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre, tashmë që institucionet parashkollore u hapën, fëmijët do të vijojnë normalisht aktivitetin e tyre me bashkëmoshatarët. Kryebashkiakja Sako ka vizituar kopshtin 7 Marsi, një kopësht në lagjen 16 dhe çerdhen nr.4 në Shkozet duke u ndalur veçanërisht tek rregullat e sigurisë që zbatohen me rigorozitet. Në të gjitha kopshtet dhe çerdhet Bashkia e Durrësit ka marrë masa për zbatimin e protokollit të caktuar nga Instituti i Shëndetit Publik duke kryer dezinfektimin e përditshëm dhe duke i furnizuar me termometra digjitalë dhe dezinfektantë me bazë alkooli. Një falenderim në këtë ditë i shkon UNICEF i cili ka dhuruar 40 termometra digjitalë dhe World Vision që ka dhuruar dezinfektantë.