Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit për “Nxitjen dhe promovimin e turizmit kulturor në Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin, Durrës, nëpërmjet hyrjes pa pagesë”.

Referuar situatës së krijuar në vend, nga Pandemia COVID-19, institucionet e trashëgimisë kulturore me qëllim vijimin e misionit të tyre në funksion të promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore, kanë rifilluar veprimtarinë e tyre në zbatim të urdhrit nr. 172 datë 15.05.2020 të Ministrit të Kulturës “Për hapjen e muzeve publikë dhe monumenteve në varësi të Ministrisë së Kulturës, si dhe parqeve arkeologjikë”.

Për të nxitur turizmin kulturor, si dhe për t’i ardhur në ndihmë operatorëve turistikë, bizneseve, si dhe institucioneve dhe subjekteve private, që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me turizmin kulturor, Ministria e Kulturës ka ndërmarrë nisma konkrete në funksion të rritjes së numrit të vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.

Një ndër to është edhe “dhurimi” i një sasie biletash me vlerën zero, të cilat Bashkitë e qyteteve me kapacitete turistike, ia shpërndajnë bizneseve lokale, që lidhen me turizmin, për të promovuar trashëgiminë tonë kulturore.

Në bazë të marrëveshjes, Ministria i ofroi Bashkisë Durrës 5000 (pesë mijë) bileta me vlerë zero, për periudhën 23 Qershor – 31 Gusht për të dy institucionet e trashëgimisë, Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin në Durrës.

Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako u shpreh se “Qyteti i Durrësit, është një ndër qytetet me trashëgiminë arkeologjike më të pasur në vend dhe në rajon. Pas dy vështirësive të mëdha që kaloi qyteti ynë siç ishte tërmeti dhe situata e pandemisë nxitja e turizmit gjatë këtij sezoni merr një rëndësi të veçantë.

Kjo marrëveshje për mbështetjen e bizneseve turistike duke ofruar falas biletat për sitet e Trashëgimisë Kulturore për sezonin veror shërben për të nxitur turizmin kulturor, si dhe për t’i ardhur në ndihmë operatorëve turistikë, bizneseve, si dhe institucioneve dhe subjekteve private që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me turizmin kulturor. Kjo nisëm e Ministrisë është një masë konkrete në funksion të rritjes së numrit të vizitorëve në sitet e trashëgimisë kulturore dhe muzeve”.

Ndërsa Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe më tej me pushtetin lokal për nxitjen e turizmit dhe tejkalimin e vështirësive të shkaktuara nga COVID-19. “Viti që lamë pas shënoi një sukses për turizmin kulturor në Shqipëri. Kemi pritur më shumë se 1 milion vizitorë në të gjitha sitet arkeologjike dhe muzetë, në të gjithë vendin. Dhe për këtë vit rishikuam tarifat e biletave, me qëllim që të ardhurat prej tyre të përkthehen në më shumë shërbime për vizitorët dhe më shumë mirëmbajtje për objektet. 

Të ndodhur në një situatë, që nuk e kishim parashikuar, na u desh të rishikonim çmimet e biletave, t’i ulnim ato, të shtonim 4 të dielat falas dhe të shkojmë edhe më tej, me lidhjen e këtyre marrëveshjeve me bashkitë. E gjithë kjo nismë është ndërmarrë për të nxitur turizmin vendas dhe për t’i dhënë edhe një arsye më shumë turistëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që të vijnë dhe të zbulojnë trashëgiminë tonë kulturore”, tha Ministrja Elva Margariti.