Rehabilitimi i kanalit të ujërave të larta është një investim mjaft i rëndësishëm që po kryen Bashkia e Durrësit për të parandaluar përmbytjet në disa lagje të qytetit. UKD ka realizuar projektin për këtë investim të bashkisë me vlerë 45 558 751 lekë i cili rehabiliton kanalin e ujërave të larta që derdhen në det në zonën e Porto Romanos. Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar këto punime e shoqëruar nga drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës Spartak Kovaçi. Punimet në këtë kanal po kryhen në një gjatësi prej rreth 1 km që po pastrohet krejtësisht nga bimësia e dendur dhe mbeturinat urbane të grumbulluara ndër vite. 350 metra të këtij kanali do të mbyllen me tombino dhe pjesa tjetër do të jetë e hapur me karpate anësore betoni. Kryebashkiakja Sako deklaroi se rehabilitimi i këtij kanali përmirëson situatën në periudhën e reshjeve ndërkohë që pas këtij investimi do të kryhet edhe rehabilitimi i kanalit në rrugën Gjelbërimi. Një pjesë e këtij kanali që po mbyllet me tombino është segmenti nga zona pranë spitalit deri në shkollën “Demokracia” dhe më pas nga kjo shkollë deri në derdhjen në det kanali do të jetë i hapur por do të jetë i pastruar dhe i rehabilituar ndërkohë që në këtë segment do të ndërtohen edhe vepra arti që do të jenë 6 ura për lidhjen e rrugëve dytësore me rrugën “Aleksandër Goga”.Ky investim parashikohet të përfundojë në fund të muajit tetor dhe do të sjellë një impakt mjaft të vlefshëm në parandalimin e përmbytjeve në disa lagje të qytetit të Durrësit.