Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar një mbledhje jashtë rradhe me mjete të komunikmit elektronik për të miratuar dhënien e titullit “Qytetar Nderi” njërit prej personaliteteve më të shquar të Durrësit, Vangjel Toçi. Qendra Muzeore e Durrësit ka bërë propozimin përkatës në këshillin bashkiak i cili e ka miratuar me unanimitet këtë titull për atë që njihet si babai i arkeologjisë durrsake. 

Arkeologu Vangjel Toçi u lind me 11 tetor 1920 në Elbasan dhe ndërroi jete më 29 janar 1999 në Durrës.

Qyteti i lashtë i detyrohet prof. Vangjelit zbulimin e Amfiteatrit 1900-vjeçar; mozaikun e njohur në botën shkencore me emrin Bukuroshja e Durrësit që ndodhet sot në hyrje të muzeut historik kombëtar në Tiranë; Termat (banjat) e periudhës romake në themelet e teatrit Aleksandër Moisiu; mozaikun me kalë deti, etj. Zbulimi prej tij i mbi 300 emrave ilirë në shtyllëzat funerare provoi praninë e elementit ilir në Durrës. Lista e monumenteve dhe gjetjeve është e pafund. 

Në fondet e Muzeut arkeologjik të qytetit, të cilin ai e themeloi dhe drejtoi për 30 vjet ndodhen më shumë se 13 mijë objekte të regjistruara, që vazhdojnë të shqyrtohen nga arkeologët.

Një pjesë e monumenteve të zbuluara u ekspozuan si pjesë e Parkut Arkeologjik, në lulishten e njohur sot si Shëtitorja Bregdetare, projekt që morri jetë falë kurajos së drejtorit Toçi.

Merita e parë e tij në Durrës është krijimi i Bibliotekës së qytetit më 11 shtator të vitit 1945. 

Nën drejtimin e Vangjel Toçit në Muzeun e Durrësit u krijuan me radhë sektorët e historisë, arkeologjisë, luftës nacional-çlirimtare, etj; në vitin 1968 pasi afroi në muze disa nga artistët më të shquar durrsake ai ngriti Galerinë e Arteve Figurative.

Pak para se të dilte në pension, ai bëhet nismëtar i ndërtimit të Muzeut të ri arkeologjik të qytetit antik, duke vendosur në eksponatet e tij, një pjesë nga trashëgimia e zbuluar nga duart e Vangjel Toçit dhe bashkëpunëtorëve të tij

Kjo është arsyeja, që qytetarët durrsakë e kujtojnë me respekt e nderim edhe sot

Nisur nga sa më siper, duke vleresuar kontributin e tij për qytetin tone në lidhje me mbështetjen e herëpashershme të veprimtarive të shumta që kanë lidhje me promovimin e vlerave historike, kulturore, këshilli bashkiak i Durrësit ka miratuar dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për z. Vangjel Toçi me motivacionin:“Për kontributin e rëndësishem që ka dhëne  në krijimin dhe drejtimin e institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë historike në qytet, për zbulimin e Anfiteatrit Antik dhe dhjetëra monumente dhe objekte arkeologjike të cilat e bënë Durrësin të njohur në nivel ndërkombetar, duke e kthyer arkeologun Vangjel Toçi në simbol të qytetit 3000 - vjeçar të Durrësit ” .