Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së njërit prej personaliteteve më të shquar të Durrësit, Vangjel Toçi, është organizuar një ceremoni e veçantë në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”. Në këtë ceremoni kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako i ka dorëzuar familjarëve të arkeologut të shquar titullin “Qytetar Nderi” që Bashkia e Durrësit dhe këshilli bashkiak ja kanë akorduar babait të arkeologjisë durrsake Vangjel Toçi. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministrja e kulturës Elva Margariti, drejtori i Qendrës Muzeore të Durrësit Alban Ramohitaj, personalitete të njohur të qytetit, etj. 

Në fjalën e saj kryebashkiakja Sako ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Vangjel Toçi për Durrësin në arkeologji, muze e biblioteka, si drejtues e kërkues duke lënë gjurmë dijetari e qytetari të denjë: “Është fat që Durrësi, ka pasur dhe ka shumë personalitete që ja kanë ngritur lart emrin qytetit tonë. Sot jemi këtu për të nderuar dhe vlerësuar Vangjel Toçin për një sërë meritash ku disa nga më kulmoret janë themelimi prej tij i bibliotekës në vitin 1945 ku dhuroi 1000 libra dhe e drejtoi me sukses këtë institucion, në vitin 1951 ngriti muzeun e parë arkeologjik të Durrësit dhe e drejtoi atë sërish me shumë sukses, gjithashtu Toçi ishte nismëtar i ngritjes së muzeut të ri arkeologjik dhe krijoi platformën e tij, në vitin 1966 ai zbuloi amfiteatrin e Durrësit që e bëri qytetin tonë të njohur ndërkombëtarisht. Po kështu ai ka udhëhequr të gjitha gërmimet arkeologjike në Durrës nga viti 1947 deri në 1982. Ai ka ngritur edhe Muzeun e Luftës, Muzeun Etnografik dhe Galerinë e Arteve në Durrës, si dhe muzetë historikë në Kavajë e Shijak. Gjatë mbi një gjysmë shekulli, kudo që iu kërkua të kontribuojë: në muze e biblioteka, në arkeologji, si drejtues e si kërkues, ai la gjurmë dijetari e qytetari të denjë. Jo vetëm Durrësi, por shkenca shqiptare në përgjithësi, janë e do ti jenë mirënjohës Vangjel Toçit, dijetarit, poliglotit, babait të arkeologjisë durrsake. Vangjel Toçi, ka qenë gjithnjë nderi i qytetit tonë, por sot, zyrtarisht, në emër të  bashkisë, kam nderin të dorëzoj titullin “Qytetar Nderi”, më i larti ndër vlerësimet që Institucioni yne, keshilli i tij bashkiak akordon për personalitete të këtij dimensioni.” 

Po kështu kontributin e këtij personaliteti e ka vlerësuar edhe ministrja e kulturës Elva Margariti e cila deklaroi se do të dëshironte të shihte një ditë dosjen e amfiteatrit të Durrësit në UNESCO: “Ajo që i ka dhënë Vangjel Toçi Durrësit, amfiteatri, është simbolika e vërtetë e këtij qyteti dhe një nga vlerat më të mëdha që mbartim ndër shekuj dhe që ne kemi detyrimin ta çojmë edhe më tej këtë punë. Kemi bërë jo pak për Durrësin e goditur nga tërmeti por tashmë krahas kësaj pune duhet që të gjithë ta shohim këtë qytet me një tjetër vizion, atë të Durrësit të kulturës dhe amfiteatrin që është zemra e këtij qyteti ne duhet ta çojmë në një tjetër dimension. Kemi filluar prej muajsh të hartojmë planet sipas të cilave amfiteatri dhe zona përreth tij duhet të marrin një tjetër frymëmarrje. Sfida ime më e madhe si ministre do të ishte të shihja dosjen e amfiteatrit të Durrësit të paraqitur në UNESCO si një monument i rëndësishëm jo vetëm i këtij qyteti por i gjithë Shqipërisë.”

Edhe profesori dhe historiani i njohur Afrim Hoti i cili e ka marrë fjalën në këtë aktivitet prezantoi librin që i kushtohet figurës së Vangjel Toçit, libër i cili do të mund të lexohet edhe në mënyrë elektronike në faqen web të Muzeut Arkeologjik të Durrësit.  

Në aktivitetin e moderuar nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Bashkim Hoxha, të ftuarit kanë ndjekur edhe një dokumentar kushtuar Vangjel Toçit, realizuar nga gazetari Gëzim Kabashi dhe telekronisti Astrit Tahiri, i cili nxirrte në pah kontributin e shquar që ka dhënë arkeologu i njohur për qytetin e Durrësit por edhe për trashëgiminë kulturore kombëtare.

Arkeologu Vangjel Toçi u lind me 11 tetor 1920 në Elbasan dhe ndërroi jete më 29 janar 1999 në Durrës.

Qyteti i lashtë i detyrohet prof. Vangjelit zbulimin e Amfiteatrit 1900-vjeçar; mozaikun e njohur në botën shkencore me emrin Bukuroshja e Durrësit që ndodhet sot në hyrje të muzeut historik kombëtar në Tiranë; Termat (banjat) e periudhës romake në themelet e teatrit Aleksandër Moisiu; mozaikun me kalë deti, etj. Zbulimi prej tij i mbi 300 emrave ilirë në shtyllëzat funerare provoi praninë e elementit ilir në Durrës. Lista e monumenteve dhe gjetjeve është e pafund. Në fondet e Muzeut arkeologjik të qytetit, të cilin ai e themeloi dhe drejtoi për 30 vjet ndodhen më shumë se 13 mijë objekte të regjistruara, që vazhdojnë të shqyrtohen nga arkeologët.

Merita e parë e tij në Durrës është krijimi i Bibliotekës së qytetit më 10 shtator të vitit 1945. Nën drejtimin e Vangjel Toçit në Muzeun e Durrësit u krijuan me radhë sektorët e historisë, arkeologjisë, luftës nacional-çlirimtare, etj; në vitin 1968 pasi afroi në muze disa nga artistët më të shquar durrsake ai ngriti Galerinë e Arteve Figurative.

Pak para se të dilte në pension, ai bëhet nismëtar i ndërtimit të Muzeut të ri arkeologjik të qytetit antik, duke vendosur në eksponatet e tij, një pjesë nga trashëgimia e zbuluar nga duart e Vangjel Toçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.Kjo është arsyeja, që qytetarët durrsakë e kujtojnë me respekt e nderim edhe sot.

Duke vleresuar kontributin e tij për qytetin e Durrësit ai është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin:“Për kontributin e rëndësishem që ka dhëne  në krijimin dhe drejtimin e institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë historike në qytet, për zbulimin e Anfiteatrit Antik dhe dhjetëra monumente dhe objekte arkeologjike të cilat e bënë Durrësin të njohur në nivel ndërkombëtar, duke e kthyer arkeologun Vangjel Toçi në simbol të qytetit 3000 - vjeçar të Durrësit ” .