Në Ditën  Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëvë, rreth 10 të rinj anëtarë të grupeve Impact Club në Durrës me të cilët punon World Vision, organizuan një aktivitet ku mori pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

Për shkak të masave të marra në kuadër të kufizimeve si pasojë  e pandemisë anëtaret e grupeve nga zona e Kullës,Vadardhë dhe Porto Romanos e ndoqën aktivitetin online dhe patën mundësi të ndanin mesazhet dhe problematikat e tyre e tyre në lidhje me suportin me psikolog në kohë të vështira që po kalojnë dhe në lidhje me mungesën e infrastrukturës që kanë fëmijët në zonat rurale për të kaluar kohë sociale.  

Kryebashkiakja Sako theksoi se fëmijët janë e tashmja dhe ardhmja e një shoqërie, prandaj pjesëmarrja dhe dëgjimi i zërit të fëmijëve, është një e drejtë themelore dhe ka rëndësi të madhe në jetën sociale të një vendi. Kjo qasje – vazhdoi Sako- përgatit fëmijët për të qenë qytetarë të denjë dhe të përgjegjshëm, i mundëson mbrojtjen e të drejtave të tyre, përmirëson shërbimet e fëmijëve, nxit politika më të mira mbrojtjeje, nxit praktika me parime demokratike, fuqizon fëmijët të rriten të përgjegjshëm dhe të përmbushin detyrimet ligjore. 

Sako deklaroi se në shkollat e reja që po ndërtohen nga procesi i rindërtimit si dhe në shkollat e reja që po ndërton bashkia me buxhetin e saj, do të ketë më shumë hapësira që fëmijët të kenë mundësi të kalojnë kohën e tyre të lirë si: palestrat për aktivitetet sportive, kurset e pikturës etj. Gjithashtu kryebashkiakja u shpreh se është duke u punuar që jo vetem në qytetin e Durrësit por edhe në zonat rurale të ngrihen qendra që ofrojnë aktivitete ditore për fëmijët  në mënyrë që të ndikojnë në përmirësimin e jetës së fëmijëve që është vështirësuar edhe si pasojë e dy fatkeqësive, tërmetit dhe pandemisë. 

Në këtë ditë, të rinjtë ishin zëri i të gjithë fëmijëve që të ndikojnë në përmirësimin e një jetë më të bukur në familje, në shkollë dhe në shoqëri.   

Mesazhi kryesor që fëmijët sollën në këtë aktivitet ishte se "Duhet një botë e tërë për ti dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve. Duheni të gjithë ju, Familja, Shkolla, Komuniteti.Angazhimi i institucioneve ne nivel vendor dhe qendror, që fëmijët në Shqipëri të mos përjetojnë dhunë.”

Dita Ndërkombëtare e Konventës  së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijës, është një set standartesh dhe detyrimesh ndërkombëtare të pranuara për promovimin e të drejtave të të gjithë personave nën moshën 18 vjeç. Këto të drejta sigurojnë që fëmijët të jetojnë në kushtet më të mira të mundshme të zhvillohen dhe të mësojnë në një ambjent të sigurtë, të kenë akses në kujdesin shëndetsor dhe të marrin pjesë plotësisht në jetën familjare, kulturore dhe sociale.