Një tjetër shkollë e re e ndërtuar nga Bashkia e Durrësit me buxhetin e saj i shtohet komunitetit. Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar punimet e fundit që po kryhen në shkollën e re 9-vjeçare “Hamallaj” si dhe në kopshtin me të njëjtin emër në njësinë administrative të Sukthit. Kjo shkollë do të hapë dyert në fund të vitit për 268 nxënës si dhe 30 fëmijë në kopshtin që është pjesë e kësaj shkolle. Krahas objekteve arsimore që Durrësi përfiton nga procesi i rindërtimit Bashkia e qytetit ka vijuar me ndërtimin e shkollave dhe kopshteve të tjera të reja që janë parashikuar në buxhetin e Bashkisë siç janë edhe shkolla dhe kopshti Hamallaj. Kryebashkiakja Sako deklaroi se arsimi është prioritet i Bashkisë së Durrësit dhe mbështetja për këtë sektor do të vijojë edhe në vitin e ardhshëm për të krijuar ambiente të reja dhe kushte sa më të mira për zhvillimin e procesit mësimor. Shkolla e re 9-vjeçare “Hamallaj” ka 17 klasa, 3 laboratorë, 1 dhomë psikologu etj. Kjo shkollë si edhe kopshti me të njëjtin emër janë ndërtuar me standarte të larta sigurie dhe do të kenë ambiente bashkëkohore.
Kryebashkiakja Sako inspekton punimet e fundit për shkollën e re Hamallaj që do të mirëpresë nxënësit në fund të vitit
- Detaje
