Në 25 nëntor, në ditën ndërkombëtare por edhe ditën e parë të Fushatës Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen” dhe me mbështetjen e  PNUD Shqipëri, lançuan shërbimet e  reja të specializuara në kohë pandemie, në ambientet e reja të qendrës komunitare, me hapësira të rivitalizuara. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako në fjalën e saj deklaroi: “Bashkia e Durrësit ka mbështetur “Sot për të Ardhmen” me infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve në kuadër të zgjerimit të shërbimeve sociale në Durrës, me fokus të veçantë në shërbimet për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare. Dhuna ndaj grave dhe vajzave (DhNGV) është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global, që nuk prek vetëm gratë që rrihen dhe abuzohen, por ajo ka ndikim negativ edhe ndaj fëmijëve të cilët janë viktima të drejtpërdrejta ose të tërthorta. 

Gjatë këtyre viteteve është punuar jo vetëm nga Bashkia Durrës por edhe nga Shoqëria civile duke ju dhënë zgjidhje rasteve që kane kërkuar mbrojtje. Ka ardhur momenti që t’i kushtohet vëmendje e madhe menaxhimit të  cdo rasti, për t’u ofruar atye mbrojtje dhe siguri në ofrimin e shërbimeve te nevojshme të bazuara në vlerësimet e rasteve. 

Ne jemi te fokusuar ne 3 shtyllat kryesore : Parandalim,mbrojtje (duke ofruar shërbim ligjor, psikologjik dhe linjën telefonike falas në bashkëpunim me Qendrën Komunitare “Sot për të Ardhmen”) dhe referim, këto nëpërmjet: rritjes se kapaciteteve, zgjerimit  të shërbimeve, përmirësimit  të bashkëpunimit mes anëtarëve të mekanizmit dhe OJF-të dhe sensibilizimin e  aktorëve dhe të komunitetit në  detyrimin për të reaguar ndaj cdo rasti dhune  si dhe për të garantuar siguri dhe  mbrojtje për viktimat e dhunës.” 

Ndërkohë që nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale, Klodiana Spahiu theksoi se: “Fushata Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, cila nis në kushtet e një krize të madhe globale shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Shifrat e dhunës në familje po rriten me shpejtësi dhe jo vetëm ato të raportuara publikisht, por shumë  e shumë raste po ndodhin në “hije”. Në këtë situatë të vështirë, lind nevoja të ndërmarrim një përpjekje kolektive për të ndaluar dhunën në familje në të gjitha format e saj. Ndërgjegjësimi i komunitetit dhe nxitja e debatit publik mbi frenimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave gjatë pandemisë COVID-19, është përparësi në përpjekjet dhe veprimtari të përgjegjshme për rimëkëmbje nga kjo situatë.”

Fabiola Egro, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Qendrave për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”, vijoi: “QZHK “Sot për të Ardhmen” po ofron shërbime të specializuara në kohë pandemie, si programme prindërimi dhe mbështetje për familjet dhe fëmijët si dhe mbështet individët/burrat dhe grupet në nevojë me shërbimet komunitare. Sot për here të pare lançohen në ndihmë të familjeve një libërth me lojëra për familjen në familje “Bashkë ia dalim më mire” si edhe doracaku “Diellëza” me këshilla praktike në ndihmë të grave dhe vajzave, mbështetur nga PNUD.  

Shërbimet psikologjike dhe ligjore do të vijojnë të ofrohen, si dhe numri i telefonit 08009888 falas për viktimat e dhunës në familje. Fushata kundër dhunës do të vijojë me aktivitete sensibilizuese, stimulimin e bisedave publike dhe edukimin e komunitetit për të rritur ndërgjegjësimin për rritjen e dhunës ndaj grave, takim me punonjës të Njësive Administrative si dhe administratorët Socialë në nivel qarku me qëllim ndërmarrjen e masave të qarta në mënyrë që shërbimet për të mbijetuarat e GBV të mbahen aktive edhe gjatë masave kufizuese si pasojë e COVID-19”.