Bashkia e Durrësit ka zhvilluar një ceremoni me rastin e 76 vjetorit të çlirimit të vendit. Kjo ceremoni u zhvillua në përputhje me protokollin shëndetësor. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, prefekti Roland Nasto, kreu i Qarkut Alfred Mullaraj, deputetët socialistë të Durrësit, përfaqësues të veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve kanë bërë homazhe për të rënët dhe kanë vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve. Të gjithë të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit në nderim për këta luftëtarë që dhanë jetën e tyre për liri. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako u shpreh se në 29 nëntor gjithë Durrësi dhe vendi ynë kujton dhe nderon ata që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të. “Lavdi Dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e Atdheut tonë të dashur, i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim mirënjohjen, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht neve, në kohët e sotme, na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane,” – deklaroi ndër të tjera kryebashkiakja Sako. Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të luftës së dytë botërore sepse ishte pikërisht qyteti bregdetar ku filloi historia e luftës nacionalçlirimtare në 7 prill 1939 dhe ku u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Pikërisht në 7 prill në Durrës ranë dëshmorët e parë siç ishte heroi i popullit Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij të flijuar në mbrojtje të trojeve tona. Fryma e kohës i kishte ndërgjegjësuar banorët durrsakë dhe shumë të rinj ishin hedhur në çetat partizane. Të tjerë demonstruan kundër pushtimit fashist ku ranë dëshmorë të rinjtë Sotir Noka, Dalip Tabaku, Aleksandër Goga etj. Në këtë atmosferë e gjeti Durrësin pushtimi nazist në shtator 1943. Komanda gjermane e konsideroi qytetin tonë qytet të lëvizjes dhe ishte kjo pasiguri që e detyroi komandën gjermane të ndërmarrë operacionin e koduar shëtitje në port. Banorët u detyruan me forcë ta braktisnin qytetin ndërsa të rinjtë u internuan në kampet e përqendrimit, qyteti dhe vija bregdetare u minua, rast unikal ky në historinë e luftës së dytë botërore. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.
Kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako kryen homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në 76 vjetorin e ditës së çlirimit
- Detaje
