Pas pak javësh Sukthi do të furnizohet 24 orë me ujë. Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka inspektuar punimet për investimin që po kryhen nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Durrësit me fonde të qeverisë shqiptare për përmirësimin e furnizimit me ujë të Sukthit. Investimi ka përfunduar në zonën e Sukthit të ri dhe tashmë po kryhen punime në lagjen 1 në Vadardhë. Kryebashkiakja Sako deklaroi se me përfundimin e këtyre punimeve Sukthi do të furnizohet me ujë 24 orë. Po kështu vijon puna për përmirësimin e furnizimit me ujë në Ishëm dhe shumë shpejt përfundon investimi në Katund të Ri. Sako ka deklaruar se UKD ka lidhur tashmë kontratën dhe shumë shpejt fillon puna edhe për ndërtimin e linjës së re të shpërndarjes së ujit në zonën e Spitallës dhe Portoromanos. Ky investim parashikon edhe instalimin e matësve inteligjentë dhe ndërtimin e depos së ujit 2 000 m³. Në përfundim të këtij investimi Spitalla dhe Portoromano do të furnizohen 24 orë me ujë.