Agjencia Kombëtare e Bregdetit në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit në kuadër të projektit Festivali Evropian i Turizmit të Peshkimit kanë organizuar zhvillimin e festivalit “Blu European Festival” në Durrës nga 22 deri në 28 shkurt, javë gjatë së cilës do të ketë panaire dhe një larmi aktivitetesh të fokusuara në fushën e peshkimit. Në çeljen e këtij festivali ka marrë pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e cila theksoi se ky është një aktivitet i rëndësishëm që do të kthehet në një traditë për qytetin tonë. Kryebashkiakja Sako deklaroi se turizmi dhe industria e peshkimit janë motorri ekonomik i qytetit të Durrësit dhe këta dy sektorë do të marrin një hov të madh zhvillimi nga investimet e rëndësishme për portin që nisin shumë shpejt. Ky festival organizohet në të gjithë vendet pjesëmarrëse në këtë projekt si Shqipëri, Itali, Spanjë, Greqi, Portugali dhe Mali i Zi duke krijuar një javë unike evropiane e turizmit të peshkimit. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Ledion Lako deklaroi se ky festival synon të ktheje turizmin e peshkimit në një produkt inovativ në turizmin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, duke u fokusuar në traditat evropiane të peshkimit dhe komunitetet bregdetare. Gjithashtu, ky festival kontribuon edhe në diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike, si një mundësi apo alternativë e re për çdo turist apo vizitor si edhe duke promovuar kulturën e peshkimit dhe traditat e kulinarisë, aq më tepër për një qytet si Durrësi.
Fillon në Durrës java e Festivalit Evropian të Turizmit të Peshkimit, kryebashkiakja Sako: Turizmi dhe industria e peshkimit janë motorri ekonomik i qytetit
- Detaje
