Në ditën botërore të ndërgjegjësimit mbi autizmin kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako së bashku me ministren e shtetit për Standartet e Shërbimeve Milva Ekonomi dhe deputeten Klodiana Spahiu vizituan shkollën speciale të fëmijëve me aftësi ndryshe ku kanë shpërndarë dhurata fëmijëve dhe morën pjesë në aktivitetin e zhvilluar në prani të përfaqësuesve të institucioneve rajonale, stafit të shkollës, prindërve dhe vetë fëmijëve. Kryebashkiakja Sako përcolli mesazhin se të gjithë bashkë duhet të rritim ndergjegjësimin në lidhje me personat me aftësi ndryshe dhe tu japim mbështetje e dashuri në çdo moment që kanë nevojë. Zgjodhëm këtë shkollë - deklaroi Sako - për tu shprehur këtyre fëmijëve ngrohtësinë njerëzore dhe për ti komunikuar atyre mesazhin se do të kenë gjithmonë një përkujdesje të vecantë nga ana e Bashkisë në mënyrë që të integrohen plotësisht në jetën shoqërore të qytetit. Bashkia e Durrësit ka një sërë programesh sociale që i zbaton në ndihmë të shtresave në nevojë dhe një kujdes i vecantë u kushtohet pikërisht këtyre fëmijëve me aftësi të veçanta ku përveç kësaj shkolle është edhe një qendër e posaçme që ofron jo vetëm shërbime për fëmijët, sipas nevojave që ata kanë, por është një derë e hapur për të gjithë familjen, për shërbime dhe informim. Kujdesi ndaj këtyre fëmijëve ka qenë dhe është i vazhdueshëm duke i inkuadruar ata në programe të posaçme sociale për ti krijuar sa më shumë ngrohtësi e përkujdesje dhe në planet e bashkisë është shtimi i shërbimeve për personat me aftësi ndryshe dhe rritja e numrit të përfituesve.