Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq si dhe me kolonelin Nicolas Coussiere, kapiten i fregatës franceze tip La Fayette (FLF) “Aconit” si dhe oficerë të tjerë të kësaj fregate e cila është ankoruar në portin e Durrësit. Kjo fregatë është vendosur në Mesdheun qendror si pjesë e misioneve të prezencës së rregullt të anijeve luftarake franceze në këtë zonë detare dhe veçanërisht në detin Adriatik.

Kapiteni i kësaj fregate koloneli Nicolas Coussiere dhe ushtarakët e tjerë që e kanë shoqëruar i kanë shprehur kryebashkiakes Sako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me kryebashkiaken e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij francez. Kryebashkiakja Sako pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj fregate, vizitë e rëndësishme kjo në portin e Durrësit, e ka njohur ambasadoren franceze dhe ushtarakët e fregatës “Aconit” me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu Sako është ndalur veçanërisht tek turizmi duke bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike që ka qyteti ynë. Po kështu kryebashkiakja Sako ka diskutuar me ambasadoren franceze Barsacq lidhur me bashkëpunimin midis dy vendeve.

Bashkëpunimi me aleatët e Francës është në qendër të dislokimit të Aconit. Në këtë kontekst kjo fregatë zhvillon disa seanca të përbashkëta stërvitore me partnerët e NATO-s gjatë gjithë misionit të saj. Këtu, bashkëpunimi me Shqipërinë zë një vend të veçantë, që synon njohjen e ndërsjellë dhe ndërveprimin mes marinës franceze dhe asaj shqiptare, në shërbim të stabilitetit të rajonit. Gjatë kësaj ndalese, ekuipazhi i Aconit do të bashkëpunojë me marinarët shqiptarë me qëllim shkëmbimin e ekspertizës dhe njohurive midis partnerëve të bregut të Mesdheut, veçanërisht në fushat e operacioneve policore në det, të përpjekjeve kundër avarive dhe të zhytjes ushtarake.