Ka filluar në Durrës java e kinemasë iberoamerikane. Hapja e aktivitetit është kryer  në Teatrin "Aleksandër Moisiu", ku i pranishëm ishte kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri Manuel Montobbio De Balanzo. Në fillim kryebashkiaku Dako dhe ambasadori spanjoll kanë vizituar ekspozitën e organizuar nga ambasada spanjolle "Dëshmitarë të shekullit çifut", hapur në hollin e teatrit. Kjo ekspozitë hap rrugën e një investigimi mbi komunitetet hebre me origjinë spanjolle në vendet ballkanike. Me fotografi dhe intervista të fillimeve të shekullit të XIX pasqyrohej jeta e pasardhësve të çifutëve spanjollë që u dëbuan nga Spanja në vitin 1492 dhe që u strehuan në popujt e Ballkanit midis të cilëve edhe në Shqipëri dhe ku pasardhësit e tyre ruanin traditat e lashta. Më pas kryebashkiaku Dako dhe ambasadori spanjoll Montobbio kanë çelur në sallën e teatrit javën e filmit iberoamerikan. Java VII e kinemasë në spanjisht i është kushtuar pikërisht kinematografisë iberoamerikane, me diversitetin e imazheve, kujtimeve dhe ëndrrave të saj, me filma nga Argjentina, Kili, Kuba, Uruguai dhe Spanja. Një kinema e pasur në tematikë dhe imagjinacion. Në ceremoninë e hapjes së javës së filmit në spanjisht mori fjalën ambasadori spanjoll Montobbio i cili u shpreh se bashkëpunimi kulturor midis Spanjës dhe Shqipërisë ëshët mjaft i ngushtë dhe kjo javë e filmit por edhe ekspozita apo aktivitete të tjera të këtij lloji synojnë shkëmbimin e ngushtë të eksperiencave dhe vlerave kulturore midis dy vendeve tona. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se Durrësi po kthehet në një nga qytetetet më të rëndësishëm kulturor në vend për shkak të organizimit të aktivitetetve të shumta kulturore të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar. Sipas kryebashkiakut Java e filmit në spanjisht por edhe aktivitete të tjera kulturore të shumëllojshme do të gjejnë gjithmonë përkrahjen e Bashkisë së Durrësit pasi ato ndihmojnë në gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Durrësit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako u shpreh gjithashtu se kjo javë e filmit iberoamerikan i shërben bashkëpunimit të ngushtë kulturor midis dy vendeve tona, bashkëpunim që do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe ku Durrësi do të jetë përsëri vatër aktivitetesh kulturore të rangut ndërkombëtar. Filmi i parë që është shfaqur dhe që celi këtë javë të filmit në spanjisht ishte "Elsa dhe Fredi" i cili është ndjekur me interesim nga të ftuarit.