Në prani të dhjetëra banorëve të lagjes 18 kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush dako ka prezantuar një project gjigand të rehabilitimit të kësaj lagjeje. Bëhet fjalë për projektin e rehabilitimit të territorit të blloqeve të pallateve në lagjen 18. Ky projekt i cili është miratuar dhe i janë akorduar edhe fondet do të ndryshojë rrënjësisht të gjithë këtë lagje. Ky rehabilitim do të kryhet me fondet e Bashkisë së Durrësit me vlerë prej 120 milionë lekë të rinj dhe parashikon kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha, ndricim, gjelbërim, 3 fusha sporti për fëmijët si dhe mbjelljen e 70 pemëve. Ndërkaq është parashikuar të shtrohet me asfalt një sipërfaqe prej 6000 metër katror. E gjithë kjo lagje ku ka qenë tepër problematike infrastruktura midis pallateve e sidomos kanalizimet do të kthehet në një zonë moderne banimi me lulishte, rrugica e rrugë të asfaltuara dhe kënde sportive për fëmijët. Ndërkaq kryebashkiaku Dako u shpreh se pas realzimit të këtij projekti bashkia do të fillojë punën për rikonstruksionin e 3 rrugëve të fundit që kanë mbetur pa u shtruar në këtë zonë: “Vetëm për vitin 2009 ne do të investojmë në infrastrukturë përvec këtij projekti 70 milionë lekë të rinj. Kemi premtuar në fushatë rehabilitimin e gjithë kësaj zone dhe sapo filluam ta bëjmë realitet. Ne do të vazhdojmë në punën tonë për përmirësimin e infrastrukturës kudo në qytet sepse do të bëjmë realitet premtimin tonë që cdo qytetar i Durrësit do të shkelë në asfalt në cdo rrugë apo rrugicë të qytetit.” Në këtë përurim kryebashkiaku Dako ëshët shoqëruar edhe nga kandidatja socialiste për deputet në qarkun e Durrësit Klodiana Spahiu.