Filmi artistik italo-austriak "La pivellina" është shpallur fitues i çmimit të madh "Gladiatori i artë", në përfundim të edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar veror të filmit (ISF 2009) që u zhvillua në Durrës për një javë me radhë. Gjatë një ceremonie përmbyllëse në arenën e amfiteatrit antik, ku morën pjesë artistë shqiptarë e të huaj si dhe qytetarë e pushues të shumtë, juria e këtij edicioni si dhe organizatorët e festivalit akorduan edhe 7 çmime të tjera të rëndësishme."La Pivellina", një bashkëprodhim i regjisorëve Tizza Covi dhe Rainer Frimel u vlerësua nga juria ndërkombëtare e festivalit me statuetën e artë "Gladiatori i artë" mes 18 filmave konkurrues, të ndarë në seksionet "Vizione bashkëkohore" dhe "Bota ballkanike", kryesisht bashkëproduksione nga vende të ndryshme të Evropës.

I konsideruar si një dëshmi prekëse mbi kurajon dhe diskriminimin, humbjen dhe bashkimin, një shikim përtej gardhit mbrojtës e të padrejtë të komunitetit, "La pivellina" është historia e vajzës së vogël të braktisur në rrethinat e Romës. Gladaiatori i artë ju dha filmit fitues nga ana e kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili u shpreh se festivali ishte një arritje e rëndësishme kulturore në rang kombëtar: “Bashkia e Durrësit në vazhdën e organizimit të aktiviteteve të rëndësishme kulturore e artistike sidomos gjatë sezonit turistik organizoi edhe këtë aktivitet të rëndësishëm të një shkalle ndërkombëtare që është tashmë një traditë e cila do të vazhdojë pasi i shërben jo vetëm qytetit të Durrësit por gjithë vendit dhe e rrit cilësinë e aktiviteteve artistike që po zhvillohen. Ne do të mbështesim gjithmonë projekte të tilla të cilat e vendsosin qytetin tonë në qendër të vëmendjes artistike e njëkohësisht i shërbejnë edhe turizmit kulturor i cili po hedh hapat e tij në qytetin tonë me aktivitete kulturore kombëtare e ndërkombëtare nga më të ndryshmet. Festivali Veror Ndërkombëtar i Filmit në Durrës dhe edicioni i dytë i tij, tregon se ne vazhdojmë strategjinë dhe qëllimin kulturor, duke e kthyer Durrësin një emër të njohur në shkëmbimet e mëdha kinematografike mes Shqipërisë, Evropës, Rajonit dhe më gjerë.” Përveç çmimit "Gladiatori i artë", personalitete të rëndësishëm të jetës artistike në vendin tonë shpallën në emër të jurisë ndërkombëtare shtatë çmime të tjera, njëri prej të cilëve, çmimi Special, iu akordua filmit shqiptar "Alive-Gjallë" i regjisorit Artan Minaroll.

Çmimi "Filmi më i mirë ballkanik" iu dha produksionit kinematografik turk "Tre majmunët", me regji të Nuri Bilge Ceylan. Kineasti bullgar Stefan Komandarev fitoi çmimin "Regjisori më i mirë" i këtij edicioni për filmin "The ëorld is big and salvation lurks around the corner". "Aktori më i mirë" i festivalit veror ndërkombëtar të filmit 2009 u shpall belgu Ben Van Ostade për rolin kryesor në filmin "Hapy together-Të lumtur së bashku". Kurse çmimin për "Aktoren më të mirë" e fitoi Betty Qizmolli në filmin hollandez "Katia's sister".Juria e festivalit e kryesuar nga Rik Vermeulen nderoi me çmimin e karrierës regjisorin e shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti, kontributit kinematografik të të cilit i kushtohej në këtë edicion një seksion i veçantë i retrospektivës.Presidentja e jurisë së kritikës Deborah Jung shpalli filmin fitues të kritikës. "Palermo shooting" i regjisorit Ëim Ëenders meritoi këtë çmim të rëndësishëm të festivalit. Të shtatë fituesit u nderuan me statuetat me lartësi 38 cm prej argjendi, të cilat tashmë janë bërë simboli i këtij festivali.Anila Varfi, drejtore e ISF 2009, i dorëzoi regjisorit italian çmimin simbolik "Pjata e argjendtë", si një risi e festivalit për artistët me famë botërore, mysafirë në festival. Filmi i regjisorit Sorrentino "Il divo" u projektua pasditen e fundit të veprimtarisë më të madhe për filmin që zhvillohet në vendin tonë, duke ngjallur interesimin e dhjetëra spektatorëve që mbushën si rrallë herë sallën e teatrit "A. Moisiu" në Durrës.