Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës në 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqëesues dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor etj. Flamurin përpara Bashkisë, në të njëjtin vend ku është shpalosur edhe përpara 97 vitesh, e ka ngritur kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili në fjalën e rastit deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit: “Jam i nderuar dhe i prekur të përsëris sot, 97 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912, tri ditë para Shpalljes së Pavarësisë. Flamuri është shenja jonë kombëtare dhe thirrja e bashkimit. Flamuri është identiteti ynë. Ne sot përulemi me nderim të veçantë para atyre grave e burrave durrsakë që ndër vite, para dhe pas ngritjes së flamurit, i janë kushtuar kredos kombëtare dhe nuk kanë kursyer për të çfarë kanë pasur më të shtrenjtë. Ata janë një model për ne dhe për brezat e rinj. Ata janë një model që nuk vjetërohet. Ideali i pavarësisë në këtë kohë të ndërvarësisë; ideali i identitetit në këtë kohë të globalizmit; ideali shqiptar në këtë kohë të europeizmit, nuk janë aspak në kundërthënie ndaj njëri-tjetrit. Një Shqipëri europiane ishte ëndrra e Naimit dhe e atdhetarëve të pavarësisë; është aspirata e rinisë dhe e gjithë popullit sot. Ne kemi të drejtë dhe kemi përgjegjësi të kthejmë kryet pas dhe të mësojmë prej të parëve. Durrësi ka nevojë për të njëjtën mbështetje progresive që shoqëritë dhe klubet atdhetare shqiptare i dhanë kryetarit të parë të qytetit, duke përcaktuar me këtë fitore rrugën e së ardhmes. Ishte pikërisht kjo fitore e atdhetarëve që përmbushi porosinë e Ismail Qemalit, që Durrësi ta shpallte pavarësinë dhe të zgjidhte delegatët e kuvendit kombëtar të Vlorës para se një pushtues të zëvendësohej me një tjetër, para se ushtritë serbe të hynin në qytet dhe të vendosnin me forcën e armëve të tyre. Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve që i përballuan këto detyra historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot tek Agostin Sereqi, Sotir Vevecka e Sulejman Kadiu; tek Stefan e Marie Kaculini; tek të gjithë ata që përgatitën dhe valëvitën flamurin kombëtar në sheshin “Liria”; që vepruan jo vetëm me atdhetarizëm, por edhe me diplomaci, duke dëshmuar vetëvendosjen shqiptare. Për Shqipërinë e mosvarme nënshkruan vetëm tri ditë më pas edhe delegatët durrësakë Dom Nikollë Kacorri, Abaz Celkupa dhe Mustafa Basha, nënshkrimet e të cilëve gjenden në dokumentin historik të pagëzimit të Pavarësisë. Vepra e njerëzve idealistë të asaj kohe të lavdishme do të jenë kurdoherë nderi i qytetit tonë.”