Të nxënit nëpërmjet punës dhe mirë-funksionimi i partneritetit publik-privat është një risi që vjen në Arsimin dhe Formimin Profesional edhe përmes Programit shqiptaro-zviceran AlbVET, në mënyrë specifike përmes komponentit “Partneritet për të Nxënit. Për të vënë në pah avantazhet dhe rezultatet e bashkëpunimit aq të nevojshëm mes partnerëve publikë dhe privatë në Arsimin dhe Formimin Profesional, programi AlbVET organizoi inagurimin e Qendrës së Përgatitjes së Prodhuesve të Bukës në Durrës. Ngritja e kësaj Qendre u bë e mundur me mbështetjen e Bashkisë Durrës dhe agjencive ndërkombëtare si Fondacioni gjerman KAMPS dhe Programi AlbVET i financuar nga qeveria zvicerane dhe i zbatur nga Sëisscontact. Në këtë përurim merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili në fjalën e tij u shpreh se gjithë aktiviteti është në thelb reflektimi më i mirë i funksionimit të partneritetit publik – privat: “ Bazuar në këtë filozofi, autoriteti lokal, pra Bashkia Durrës, ofroi mundësi për aktorë të biznesit privat që në këtë rast janë prodhuesit e bukës në mënyrë që ata, të ndihmuar nga partnerë ndërkombëtarë, të ofrojnë mundësi trajnimi profesional të një niveli të lartë për komunitetin e të rinjve të këtij rajoni. Durrësi ka nevojë për shërbmin professional dhe ne po nxisim pikërisht këtë lloj shërbimi që do ti shërbejë shumë nesër qytetit i cili është një qytet turistik dhe si i tillë do të nxisë në vazhdimësi këtë lloj shërbimi professional.” Nga ana e tij Matthias Jaeger, drejtues i programit AlbVET në Shqipëri, theksoi se: “Synimi i përbashkët i të gjithë partnerëve në këtë projekt është të ofrojë shërbime trajnimi për të rinjtë e këtij rajoni (Durresi, Tirana e zona përreth) në një profesion ku tradicionalisht ka mungur trajnimi. Tashmë, nëpërmjet bashkëpunimit të një rrjeti partnerësh, prodhimi do të bëhet nga individë që do ta marrin zanatin duke u përgatitur me teknologjinë gjermane dhe me kombinimin e sistemit dual, pra duke punuar pranë furrave të bukës, por edhe duke u trajnuar në qendrën e sapo-ngritur”. Trajnimi i të rinjve bazohet mbi parimin e të mësuarit nëpërmjet punës dhe bëhet në qendrën e ngritur për këtë qëllim nga Projekti AlbVET. Rasti i Qendrës së Përgatitjes së Prodhuesve të Bukës është vetëm një nga modelet që Programi AlbVET propozon për të vërtetuar nevojën dhe suksesin e partneritetit për të nxënët në Formimin Profesional në Shqipëri.