Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka shpërndarë dhuratat e festave të fundvitit fëmijëve të zonës së ish kënetës. Kryebashkiaku Dako ka vizituar qendrën ditore komunitare “Sot për të ardhmen” që ndodhet në këtë zonë. Në këtë qendër të hapur nga shoqata në dobi të gruas shqiptare dhe një shoqatë gjermane trajtohen 70 fëmijë, të rinj dhe gra të kësaj zone. Kjo qendër e cila ka një sërë bashkëpunimesh me Bashkinë e Durrësit zhvillon kurse të shumëllojshme gjuhësh të huaja dhe kurse profesionale për të rinjtë dhe gratë e zonës së ish kënetës dhe njëkohësisht pret nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 17.00 një numër të konsiderueshëm fëmijësh që zhvillojnë atje kurse gjuhësh të huaja dhe në sërë aktivitetesh mësimore dhe argëtuese. Kryebashkiaku ka festuar së bashku me fëmojët në një atmosferë të bukur të krijuar nga programi artistik i organizuar nga vetë fëmijët e kësaj qendre. Pas këtij programi kryebashkiaku Dako i ka premtuar fëmijëve që trajtohen në këtë qendër se ata janë gjithmonë në vëmendje të Bashkisë e cila ka një sërë projektesh për zhvillimin dhe integrimin e kësaj zone e cila është pjesë e rëndësishme e Durrësit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka uruar festat fëmijëve dhe u ka shpërndarë atyre dhuratat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.