Shtimi i sipërfaqeve të gjelbra në qytetin bregdetar, gjatë katër viteve të fundit, ka përbërë një përparësi të punës së Bashkisë së Durrësit. Në projektet e Bashkisë mbrojtja e mjedisit dhe shtimi i sipërfaqeve të gjelbra është parë në mënyrë komplekse, duke gërshetuar shtimin e sipërfaqeve të gjelbra me natyrën turistike të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, gjatë këtyre katër viteve të fundit ka orientuar të gjitha projektet në fushën e infrastrukturës dhe më gjerë që të kenë në qendër të vëmendjes gjelbërimin, ruajtjen e mjedisit për një harmonizim mes natyrës bregdetare të qytetit dhe shtimit të hapësirave të gjelbra. Në fuknsion të këtij vizioni gjatë këtyre 4 viteve janë mbjellë rreth 4000 pemë dhe janë në proces për katër vitet e ardhshme dhe 6000 të tilla. Në konkretizim të këtyre projekteve dhe të vizionit për një Durrës me një mjedis sa më të gjelbër dhe të mbrojtur, Kryetari i Basshkisë së Durrësit ka mbjellur sot përgjatë rrugës së Universitetit të Durrësit edhe 86 pemë të tjera, të cilat shtojnë gjelbërimin në këtë zonë në bregdet. Kryebashkiaku Dako u shpreh në fjalën e tij se mozaiku i zhvillimit të qytetit të Durrësit me destinacion turistik nuk mund të jetë i plotë pa ruajtjen e mjedisit dhe shtimit të sipërfaqeve të gjelbra:“Ne i jemi përkushtuar punës për ndryshimin dinamik të qytetit në të gjitha planet. Aktiviteti i sotëm është dëshmia më e qartë që Bashkia, ashtu si katër vitet që kanë kaluar, është e vendosur dhe në katër vitet që vinë që t’i përkushtohet punës dhe në veçanti ruajtjes së mjedisit dhe shtimit të sipërfaqeve të gjelbra për qytetarët, turistët, në mënyrë që fëmijët të rriten në një mjedis sa më të shëndetshëm”, ka nënvizuar Dako.