Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e nëndetëses turke që ka ardhur në portin e Durrësit pas një stërvitjeje të sapo përfudnuar të NATO-s. Komandanti i nëndetëses turke Saner Sari, zv/komandanti Kubilay Kavuncu dhe ushtarakë të tjerë të kësaj nëndetëse me ekuipazh prej 42 vetësh i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që aknë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj nëndetëse, vizitë e rrallë kjo në portin e Durrësit, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Në fund të këtij takimi tepër të ngrihtë e miqësor kryebashkiaku Dako i ka dhuruar komandantit të nëndetëses turke simbolet e qytetit të Durrësit ndërkohë që naga ana e tij komandanti i nëndetëses i ka dhuruar kryebashkiakut Dako kapelën simbol të kësaj nëndetëse. Nëndetësja TCG Dolunay është 56 metër e gjatë, ka zhytje 5.6 metër dhe një peshë prej 1100 ton. Ajo ka qëndruar dy ditë në portin e Durrësit dhe gjatë kësaj kohe komandanti i saj dhe një pjesë e ekuipazhit janë pritur nga kryetari i bashkisë së Durrësit, si dhe kanë zhvilluar vizita edhe në vendet historike dhe arkeologjike të qytetit bregdetar. Vizita e nëndetëses turke bëhet në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat vlerësohen shumë të mira.