Është përkujtuar në pallatin e kulturës A.Moisiu 65 vjetori i vdekjes në kampet naziste të Mat’hauzenit i heroit të popullit Kozma Nushi. Bashkia e Durrësit dhe organizata për dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut kanë organizuar këtë aktivitet përkujtimor për heroin e popullit. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, familjarë të heroit, deputeti i Durrësit Blendi Klosi, krerë të tjerë të pushtetit vendor, veteranë e bashkëluftëtarë të heroit Kozma Nushi si dhe qytetarë të Durrësit. Kozma Nushi, i cili u lind në Vuno me 1909, emigroi që fëmijë në Francë, ku punoi në Lion. Më 1940 u kthye në atdhe ku u përfshi në lëvizjen antifashiste dhe ishte një nga luftëtarët më të ethshëm për lirinë e vendit tonë. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik dhe luftës së tij për liri kundër okupatorëve u arrestua në vitin 1944 nga gjermanët. Kozma Nushi u internua në kampin e Mathauzenit ku edhe u vra por kujtimi i tij mbeti i gjallë për shkak të sakrificave të tij për lirinë e vendit. Në këtë ceremoni përkujtimore e mori fjalën edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili u shpreh se do të kujtohen gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën vendin aq shumë sa derdhën gjak e dhanë jetën për të: “Kozma Nushi dhe heronjtë e dëshmorët e tjerë të atdheut me sakrificën e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën pasi atdheu është më i shtrenjti. Sakrificat e këtyre heronjve dhe dëshmorëve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Ne i kujtojmë me respekt të thellë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë dhe vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë. Nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të së shkuarës sonë duhet të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish.” Në këtë ceremoni përkujtimore e kanë marrë fjalën edhe veteranë e bashkëluftëtarë të Kozma Nushit që kanë sjellë kujtimet e një lufte të përgjakshme për liri ku heronj të tillë si Nushi kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre për qëllimin e lartë atdhetar. Pas ceremonisë kryebashkiaku Dako ka shtruar një koktejl në ambientet e Bashkisë së Durrësit për veteranët dhe familjarët e heroit Kozma Nushi por edhe të shumë dëshmorëve të tjerë.