Është përkujtuar në Durrës 71 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit Italian. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të tjerë të pustetit vendor, veteranë, përfaqësues të forcave politike, përfaqësues të besimeve fetare dhe shumë qytetarë durrsakë kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule. Të pranishmit kanë vlerësuar sakrificat atyre që u bënë qëndresë ditën e 7 prillit të 1939 ndaj fashizmit, duke dhënë jetën e tyre për këtë vend. Kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili hapi ceremoninë përkujtimore theksoi se liria u arrit me gjak e sakrifica që na rreshtuan në atë kohë në aleancën antifashiste e që e kujtojmë me respekt të thellë sot pas 71 vjetësh, kur vendi ynë është bërë pjesë e aleancës së lirisë, e NATO-s:“ Heronjtë dhe luftëtarët e 7 prillit dhe të gjithë heronjtë e popullit shqiptar bënë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësine e Shqipërise duke i thënë botës me krismat e pushkëve të tyre se ata nuk pajtoheshin me pushtimin dhe me fashizmin. Këtë gjë bënë edhe të gjithë popujt me dinjitet, që sot janë baza e BE dhe e NATO-s, të cilat janë ngritur nga shtetet e lira të dala nga një luftë e madhe antifashiste dhe patriotike, sic ishte lufta e pupujve kundër fashizmit dhe nazizmit. Sot është një ditë e rëndësishme për të kujtuar të gjithë ata që luftuan për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të saj, të cilët në 7 Prill të 1939 luftuan dhe dhanë jetën kundër okupacionit të vendit, siç është rasti i Mujo Ulqinakut dhe heronjve e dëshmorëve të tjerë. Sot kur ne jemi pjesë NATO-s, e kësaj aleance të lirisë, është një ditë shumë e rëndësishme për të nderuar edhe kontributin e paçmueshëm të gjithë atyre që me vetëmohim u sakrifikuan për çlirimin e vendit ndaj okupacionit nazi-fashist, por edhe për vendosjen e Shqipërisë në krah të aleancës antifashiste. Ne do ta kujtojmë përherë me krenari 7 prillin si ditën e parë të rezistencës antifashiste në Shqipëri dhe ne sot nderojmë të gjithë ata që pavrësisht rreshtimeve politike të kohës çasti historik i gjeti me armë në dorë përkrah njëri tjetrit në mbrojtje të vendit.” Dihet se Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin italian dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Më 7 prill të 1939 – ës banorët u detyruan me forcë ta braktisnin qytetin ndërsa të rinjtë u internuan në kampet e përqëndrimit, ata që mundën ti bënin rezistencë pushtuesit Italian, mbetën të përjetshën në historinë e këtij qyteti. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.