Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar një tjetër rrugë të re që ndodhet në lagjen nr. 18 të qytetit bregdetar. Kjo rrugë e re ka përfunduar pas rreth katër muaj punimesh që kanë përfshirë punimet nëntokësore të kanalizimeve, shtrimin e asfaltimin si dhe ndricimin. Kryebashkiaku Dako në këtë përurim deklaroi se kjo rrugë do të lehtësojë jetesën e një komuniteti të tërë që banon në këtë zonë. Kryebashkiaku Dako është shprehur se përmirësimi i infrastrukutrës së qytetit është një prioritet i Bashkisë së Durrësit dhe se në një zonë si kjo ku banorët kanë respektuar rregullat urbanistike Bashkia ka detyrim tu përgjigjet me infrastrukturë: “Ka qenë një premtim yni elektoral që të shtronim rrugët dhe në përgjithësi të përmirësonim të gjithë infrastrukturën e qytetit për të lehtësuar jetesën e banorëve. Kemi punuar intensivisht dhe e kemi prioritet përmirësimin e kësaj infrastrukture dhe kemi arritur rezultate shumë të mira deri tani ndërkohë që puna do të vazhdojë intensivisht. Tashmë kjo rrugë do tu shërbejë banorëve duke ndikuar në rritjen e cilësisë së jetës në këtë zonë. Mund tju them se kjo është një lagje e re ku banorët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre me leje dhe në bazë të të gjitha rregullave urbanistike të qytetit. Ndaj ishte detyrimi ynë që tu përgjigjeshim me infrastrukturë moderne këtyre banorëve që i kanë respektuar të gjitha rregullat ligjore të ndërtimit. Ne vazhdojmë punën në të gjithë Durrësin me qëllim që qytetarëve të Durrësit nuk do tu shkelë më këmba në baltë por vetëm në mjedise të rregullta me asfalt dhe me lulishte të sistemuara”. Rikonstruksioni i kësaj rruge është kryer në një hark kohor prej katër muajsh. Fondi për këtë rikonstruksion është 19 192 080 lekë. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 714 metrash dhe një gjerësi prej 6.5 metrash. Punimet në këtë rrugë kanë konsistuar në punimet e shtresave rrugore, punime kanalizimi dhe trotuare, janë vendosur 26 shtylla ndriçimi si dhe sinjalistika e plotë rrugore.