Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim K/Admiral turk Ismail Taylan në kuadër të një vizite njohëse që 5 anijet ushtarake turke zhvillojë në bregdetin shqiptar. Delegacioni ushtarak turk që kryesohej nga K/Admirali Taylan kishte në përbërje edhe Kapitenin e Rangut I-rë Orhan Aslan, Kapitenin e Rangut II-të Hannan Sayan, Kapitenin e Rangut II-të Murat Sirzai, N/Kolonel Saim Bagci i cili është atasheu ushtarak turk në Shqipëri etj. Takimi në fjalë është zhvilluar në një frymë miqësore dhe bashkëbiseduesit janë ndalur në tema të ndryshme veçanërisht edhe në fushën e turizmit, marrëdhëniet midis dy vendeve tona etj. Kryebashkiaku Dako pasi ka bërë një panoramë të përgjithshme të resurseve turistike dhe ekonomike të Durrësit është shprehur se synimi i kësaj Bashkie është që qyteti ynë bregdetar të kthehet në një nga qytetet më të rëndësishme të Mesdheut përsa i përket turizmit: “Po punojmë për ta kthyer Durrësin në një qytet sa më të vizitueshëm nga ana e turistëve. Për këtë qëllim po përpiqemi ta vendosim atë në itinerarin e shumicës së kroçaerave turistike pasi qëllimi ynë është ta kthejmë Durrësin në një nga qytetet më të rëndësishme turistike të Mesdheut dhe kjo edhe për shkak të vlerave të jashtëzakonshme që mbart ai duke patur kushtet të zhvillohen disa lloj turizmi si ai arkeologjik, kulturor etj.” Më tej kryebashkiaku Dako ka folur edhe për marrëdhëniet mjaft të mira midis dy popujve tanë ndërkohë që është ndalur vecanërisht tek marrëdhëniet e mira midis bashkisë së Stambollit dhe bashkisë së Durrësit ku kryebashkiaku Dako është shprehur se kanë filluar bisedimet dhe bashkëpunimi për të finalizuar një binjakëzim midis dy qyteteve Stambollit dhe Durrësit. Nga ana e tij K/Admirali turk Taylan pasi falenderoi kryebashkiakun për mikpritjen deklaroi se bashkëpunimi midis dy vendeve tona si në fushën ekonomike ashtu edhe atë ushtarake është i ngushtë dhe do të vazhdojë të forcohet më tej në të ardhmen. Në fund të takimit kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i dhuroi delegacionit turk simbolet e Bashkisë si dhe një punim artistik ku paraqiteshin disa simbole arkeologjike të Durrësit ndërsa delegacioni turk i dhuroi kryebashkiakut simbolet e anijes së tyre. Vizita e anijeve turke bëhet në kuadër të bashkëpunimit dypalësh midis flotës shqiptare dhe asaj turke dhe kjo është një vizitë njohëse nga ana e flotës turke. Janë 5 anije të Flotës Detare Turke që ndodhen në portet shqiptare, 3 nga të cilat ndodhen në portin e Durrësit dhe 2 në portin e Vlorës. Ato janë të tipit Fregatë, konkretisht në portin e Durrësit janë Fregatat TCG Kemal REIS (F-247), TCG GIRESUN (F-491) dhe anija ndihmuese TCG AKAR (A-580).