Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në mbjelljen e pemëve në rrugën e re në zonën e ish kënetës. Mbjellja e pemëve në sajë të nismës së Bashkisë “Një jetë një pemë” ka patur një shtrirje të gjerë në të gjithë Durrësin. Sezonin e kaluar Bashkia e Durrësit ka mbjellë rreth 1100 pemë të llojeve të ndryshme ndërsa në sezonin aktual Bashkia ka vazhduar me intensitet punën dhe do të mbjellë në sezonet e mbjelljes gjatë këtij viti 1300 pemë të llojeve të ndryshme si bli, rrap, kumbull e kuqe, panjë etj. Përgjatë kësaj rruge në zonën e ish kënetës po mbillen 400 pemë të llojit rrap. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se gjelbërimi është një prioritet i Bashkisë së Durrësit: “Një nga prioritetet e Bashkisë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër për qytetarët e Durrësit. Edhe ky vit do të vazhdojë të jetë vit i gjelbërimit të rrugëve dhe lulishteve të Durrësit. Gjatë gjithë mandatit tim do të vazhdojë pareshtur mbjellja e sa më shumë pemëve pasi mjedisi është një nga prioritetet tona kryesore që i shërben vizionit të një qyteti turistik evropian.” Kryebashkiaku Dako deklaroi se nisma e Bashkisë për të gjelbëruar sa më shumë Durrësin është e hapur për bashkëpunimin e të gjithëve sepse qyteti është i të gjithë qytetarëve të Durrësit që duan një qytet sa më evropian.