Bashkia e Durrësit ka çelur sezonin turistik për vitin 2010. Në këtë ceremoni merrte pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i cili ka çelur zyrtarisht sezonin turistik për këtë vit si dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor. Me këtë rast Bashkia e Durrësit kishte organizuar një sërë aktivitetesh në rërë dhe në set si dhe një program artistik. Sezonin turistik e deklaroi të hapur kryebashkiaku Dako i cili në fjalën e tij deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë dhe se qyteti ynë është i gatshëm për të pritur në mënyrën më të mirë të mundshme qindra mijëra pushues që do të vijnë jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe më gjerë: “Si çdo vit jemi këtu për të çelur sezonin turistik veror të qytetit tonë duke qenë të gatshëm për të pritur në mënyrën më të mirë të mundshme qindra mijëra pushues që do të vijnë jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe më gjerë. Qyteti ynë si gjithmonë do tu ofrojë këtyre pushuesve mikpritjen, akomodimin, komoditetin, shërbimin e pakursyer por edhe pasuritë e mëdha të trashëgimisë kulturore, evenimente artistike e çdo gjë tjetër që do të mund tua kthejë këto ditë pranë kësaj pjese të Adriatikut në të paharrueshme. Ne jemi të bindur se qyteti ynë tashmë i ka të gjitha potencialet për të dalë faqebardhë në këtë ballafaqim të përvitshëm duke plotësuar çdo mangësi të evidentuar në vitet e mëparshme. Zëri juaj për të përcjellë tek ne çdo problematikë që ju konstatoni është një ndihmë e madhe për të cuar më tej këtë zhvillim të pandalshëm drejt përsosjes së cilësisë së shërbimit. Mirësevini në Durrës pushues të nderuar. Edhe këtë vit ju do të shijoni pushime të paharruara në plazhin më të frekuentuar të vendit. Deti, kuzhina tradicionale, monumentet historike dhe arkeologjike, aktivitetet e shumta artistike përbëjnë vlerat e pazëvendësueshme të qytetit tonë. Urimi im për të gjithë është: Kalofshi pushime të mbara e të gëzuara.” Durrësi këtë vit do të shpalosë kulturën dhe vlerat historike të një prej qyteteve më antike të Ballkanit. Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përvec turizmit të banjove diellore Durrësi ofron, turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Krahas objekteve të shumta arkeologjike, qyteti i Durrësit ofron dhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore me rëndësi për t’u vizituar. Në tërësi qyteti i Durrësit përbën një ansambël shumë të rëndësishëm historik dhe kulturor të Shqipërise. Tani turizmi në këtë qytet nuk është një perspektivë, por një realitet që preket cdo ditë. Në këtë ceremoni të çeljes së sezonit turistik qindra të rinj e të reja të pranishëm kanë ndjekur programin e larmishëm artistik si dhe aktivitetetet e shumta sportive të organizuara nga Bashkia në rërë dhe në det me këtë rast.