Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar një çerdhe të në ditën ndërkombëtare të fëmijëve në 1 qershor. Bashkia e Durrësit ka ndërtuar këtë çerdhe të re me një fond prej 30 200 936 lekë në vendin ku ndodhej një çerdhe e mëparshme e cila ishte jashtë standarteve bashkëkohore për fëmijët. Çerdhja e re është moderne dhe me kushte maksimale për kujdesin ndaj fëmijëve. Kryebashkiaku Vangjush Dako në fjalën e tij u shpreh se Bashkia që ai drejton i ka në qendër të vëmendjes fëmijët pasi ata janë e ardhmja e shoqërisë: “Kjo çerdhe e re është dhurata më e bukur që mund ti bëjmë fëmijëve në ditën e tyre të 1 qershorit. Ne si Bashki kemi obligim që të bëjmë maksimumin për ti krijuar kushte sa më të mira fëmijëve tanë dhe kjo përkujdesje fillon në krijimin e kushteve sa më moderne në çerdhe e më pas në institucionet e tjera parashkollore dhe shkollore. Kjo çerdhe do të presë katër herë më shumë fëmijë se ajo e mëparshmja dhe ofron kushte të standarteve më të larta të mundshme për kujdesin ndaj fëmijëve. Përveç kësaj çerdheje Bashkia në vazhdën e investimeve të saj në dobi të fëmijëve dhe shtimit të kujdesit për ta do të ndërtojë edhe një tjetër çerdhe të re në Shkozet që do ketë të njëjtat standarte bashkëkohore si çerdhja që përuruam sot. Dua ti siguroj fëmijët, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë të Durrësit.” Më pas kryebashkiaku Dako ka vizituar të gjitha ambientet moderne të çerdhes së re ku ka takuar fëmijët si dhe prindërit e tyre të cilët i kanë shprehur vlerësimin për një ambient kaq cilësor që ka krijuar Bashkia. Çerdhja e mëparshme kishte një kapacitet prej 30 fëmijësh dhe me një personel prej 8 personash ndërkohë që çerdhja e re ka një kapacitet katër herë më të madh, pra prej 120 fëmijësh dhe me një personel prej 24 personash. Për herë të parë në këtë çerdhe është vendosur edhe një psikologe në mënyrë që ecuria e fëmijës të ndiqet hap pas hapi nga kjo psikologe. Çerdhja e re është projektuar dhe ndërtuar sipas standarteve më të mira duke siguruar të gjithë kushtet për mirërritjen e fëmijëve. Në katin e parë të saj është dhoma e pritjes së nënave dhe konsultave me to, dhoma e psikologes dhe e mjekut si dhe zyra e përgjegjëses së çerdhes. Në këtë kat janë vendosur edhe kuzhina me mjediset e saj, lavanteria dhe dhomat e personelit. Në katin e dytë dhe të tretë janë janë katër ambiente të mëdha me nga 30 fëmijë secili. Nja nga sallat e katit të dytë është ndërtuar me pajisje të veçanta për të vendosur fëmijët latantë duke marrë masa që edhe banjo e kësaj salle të jetë me vaskë të posacme për rastet kur fëmijët kanë temperaturë të lartë. Tre sallat e tjera janë për fëmijë të moshës 2 deri në 3 vjeç dhe kanë të gjitha pajisjet për këtë kategori moshash. I gjthë investimi në pajisjet e çerdhes është 5.4 milion lekë. Bashkia e Durrësit ka filluar punën edhe për një tjetër çerdhe të re në Shkozet që po kryhet me një investim prej 40 milionë lekë dhe do të ketë një kapacitet prej 150 fëmijë dhe personel prej 30 personash.