Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar fillimin e punimeve për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e hapësirave dhe fasadave të pallateve në hyrje të Durrësit, i cili është një investim i madh prej rreth 218 milionë lekë të rinj i ndarë në dy lote e që ndryshon njëherë e përgjithmonë pamjen e kësaj zone duke krijuar një pamje moderne të një qyteti evropian. Kryebashkiaku Dako në fjalën e tij të rastit u shpreh se ky është projekti më i madh i Bashkisë deri tani që do të pasohet me projekte të tjera madhore të cilat po përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën në qytet: “Ky është projekti më i madh që ka investuar deri tani bashkia e Durrësit. E gjithë kjo zonë do të rehabilitohet duke krijuar një ambient shlodhës për banorët e kësaj zone por njëkohësisht duke krijuar edhe imazh të bukur e modern të një qyteti evropian për të gjithë ata që hyjnë në Durrës sepse kjo zonë është pikërisht pamja e parë me të cilën përballen ata që vijnë në qytetin tonë. Në këtë zonë ne do të aplikojmë teknologjinë më të fundit përsa i përket lojërave për fëmijë ndaj e kemi emërtuar parku i shkencave dhe gjithashtu do të vendosen pajisje të teknologjisë së fundit edhe përsa i përket objekteve ujore që do të ketë në këto lulishte që do të krijohen. Ky projekt madhor do ët pasohet edhe me të tjera projekte të mëdha të cilat janë në funksion të lehtësimit të mëtejshëm të jetës së qytetarëve të Durrësit. Ne po punojmë për përmirësimin e infrastrukturës në qytet duke e shoqëruar atë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe të mjediseve shplodhëse por edhe të shtimit të këndeve të lojërave për fëmijët.” Rehabilitimi i kësaj zone përfshin krijimin e një zone të gjelbërt me sipërfaqe 7.700 m2, me 20 lloje pemësh e 50 lloje shkurresh, organizimin e një sheshi të ri shtruar me gurë natyralë në sipërfaqe 1.160m2, shtrim përgjatë rrugës kryesore me gurë natyral 4.900 m2, sistemim dhe shtrim i hapësirës përreth godinave 6.800m2, 8 hapësira të reja për lojëra fëmijësh të teknologjisë së fundit(parku i shkencave) 2.050 m2, rivitalizimi i fasadave të godinave ekzistuese 16.000 m2 etj. Ky projekt do ët zbatohet me dy lote ku loti i parë ka një vlerë prej 106 079 791 dhe loti i dytë ka një vlerë prej 111 973 302 lekë të rinj. Ky projekt gjigand do të përfundojë për 8 muaj. Pas ceremonisë së fillimit të punimeve kryetari i Bashkisë së Durrësit ka inspektuar të gjithë zonën ku ka filluar puna duke takuar e biseduar me shumë banorë të zonës që në përfundim të investimit do të rrethohen nga një ambient modern e shlodhës për ta.