Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako së bashku me zv/kryeministrin e Kosovës Ram Manaj kanë vizituar panairin “Ditët e Biznesit Kosovar në Shqipëri” që organizohet nga Aleanca Kosovare e Bizneseve me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit dhe është i vendosur në shëtitoren Taulantia. Pjesëmarrësit në panair ishin 35 kompani kosovare që kanë ekspozuar rreth 630 lloje produktesh kryesisht ushqimore por edhe të materialeve të ndërtimit. Kryebashkiaku Dako ka uruar pjesëmarrësit në panair dhe e ka siguruar biznesin kosovar që do të jetë gjithnjë i mirëpritur në Durrës. Po kështu krybashkiaku Dako është shprehur gjithashtu për një bashkëpunim akoma më të ngushtë në drejtim të rritjes së mundësive për bashkëpunim në sferat e biznesit, arsimit, sportit dhe kulturës. Në ceremoninë e rastit për celjen e këtij panairi kanë përshëndetur edhe zv/kryeministri kosovar Ram Manaj i cili ka vënë theksin në ritmet e shpejta me të cilat po zhvillohet biznesi kosovar dhe vëmendja e puna që po bën qeveria e Kosovës për ti krijuar lehtësira këtij biznesi. Manaj ka shprehur vlerësimet e tij për këtë panair të parë të biznesit kosovar në Durrës i cili mirëpret kosovarët jo vetëm si pushues në sezonin turistik por i ka hapur dyert edhe për biznesin e Kosovës gjë që duket qartë edhe në interesimin e qytetarëve të Durrësit për këtë panair. Aktivitetin e ka përshëndetur edhe kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini. Pas ceremonisë së rastit kryetari I Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe zv/kryeministri i Kosovës Ram Manaj kanë vizituar të gjitha seksionet e këtij panairi. Qëllimi i këtij panairi është informimi i qytetarëve të Shqipërisë për prodhimet dhe shërbimet Kosovare të cilat meritojnë një trajtim më të mirë, si dhe krijimi i partneritetit mes afaristëve shqiptarë e kosovarë dhe aktorët tjerë për përmirësimin e eksportit të prodhuesve Kosovarë. Ky panair ka si qëllim promovimin e biznesit kosovar dhe është një përpjekje për rritjen e Eksportit në drejtim bilateral. AKB përmes projektit “Ditët e Biznesit Kosovar në Shqipëri” tenton të ndërtojë kanale të reja komunikimi në mes të prodhuesve Kosovar dhe Shqipërisë, vendim-marrësve dhe konsumatorëve. Si i tillë, projekti do t’u jep afaristëve vendor një kredibilitet të ri në tregun e Shqipërisë si dhe shtytje për ngritje të shkallës së eksportit. Objektivat e Panairit janë promovimi i prodhimeve kosovare për cilësi dhe standarde ndërkombëtare për eksport, përmirësimi i politikave tregtare të jashtme dhe eliminimi i barierave tarifore dhe jotarifore për krijimin e një ambienti më të favorshëm të bashkëpunimit Kosovaro- Shqiptare, ngritja në një shkallë më të lartë e eksportit nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë Biznes Kosovar dhe Biznes Shqiptar por edhe komunikimi me konsumatorët shqiptar dhe institucionet qeveritare dhe jo-qeveritare, Mundësia e përbashket e projekteve investive në sferat e ndryshme prodhuese tregtare, turizëm dhe shërbime në Kosovë dhe Shqipëri. Panairi ka ngjallur mjaft interesim tek qytetarët durrsakë që e kanë vizituar atë. Organizatorët e panairit kishin organizuar me këtë raste dhe një koncert ku kanë marrë pjesë këngëtarë të njohur kosovarë të rrymave të ndryshme muzikore.