Në ditën e parë të shkollës kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka vizituar shkollën 9 vjeçare “Kushtrimi i Lirisë” për të përshëndetur nxënësit në fillimin e vitit të ri shkollor. Shkolla Kushtrimi i Lirisë është rikonstruktuar tërësisht dhe i ka pritur nxënësit në këtë fillim të vitit të ri shkollor me ambiente moderne. Kryebashkiaku Vangjush Dako në fjalën e tij përshëndetëse pasi ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë shkollor u shpreh se Bashkia e Durrësit e ka si prioritet përkujdesjen ndaj fëmijëve duke u krijuar atyre kushte sa më bashkëkohore në institucionet parashkollore dhe shkollore: “Ne si Bashki kemi obligim që të bëjmë maksimumin për ti krijuar kushte sa më të mira fëmijëve tanë dhe kjo përkujdesje fillon në krijimin e kushteve sa më moderne në institucionet parashkollore dhe shkollore. Rikonstruksioni i kësaj shkolle ka krijuar kushte optimale në shkollën tuaj për zhvillimin normal të mësimit. Dua ti siguroj nxënësit, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë të Durrësit.” Shkolla Kushtrimi i Lirisë është rikonstruktuar me fondet e Bashkisë së Durrësit me një vlerë prej rreth 14 milion e 313 mijë lekë. Përvec kësaj shkolle Bashkia e Durrësit vetëm vitin e fundit ka kryer rikonstruksion të plotë edhe të shkollës “Eftali Koçi” me vlerë rreth 13 milion lekë, ka ndërtuar një cerdhe të re me vlerë rreth 30 milion lekë si dhe ka nisur ndërtimin e një tjetre cerdhe të re në Shkozet. Po kështu me një vlerë prej rreth 10 milion lekësh Bashkia vetëm vitin e fundit ka kryer rikonstruksione të pjesshme në 6 shkolla të Durrësit. Gjithashtu kryebashkiaku Dako ka zgjedhur shkollën Kushtrimi i Lirisë edhe për të vazhduar për të tretin vit nismën e Bashkisë që ka të bëjë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet dhe që konsiston në ndërgjegjësimin e nxënësve për ti ruajtur dhe shtuar këto sipërfaqe. Nisma e bashkisë është “Çdo shtator një shkollë një pemë” dhe sipas kryebashkiakut Dako kjo nismë do të pasohet nga të tjera në favor të shtimit të sipërfaqeve të gjelbra. Kryebashkiaku Dako pasi ka uruar nxënësit për një vit sa më të mbarë shkollor i shoqëruar nga drejtuesit e shkollës dhe nga vetë nxënësit ka mbjellë në oborrin e shkollës në mënyrë simbolike një pemë në kuadër të kësaj nisme të Bashkisë që do të jetë çdo shtator dhe kjo pemë përveçse do të jetë një kujtim për të gjithë nxënësit është edhe një lloj sensibilizimi për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytetin tonë. Kryebashkiaku Vangjush Dako i shoqëruar nga drejtuesit e shkollës ka vizituar ambientet tashmë moderne të kësaj shkolle të rikonstruktuar tërësisht. Më tej në ditën e parë të shkollës kryebashkiaku Vangjush Dako së bashku me zv/ambasadoren e Hollandës kanë vizituar ambientet e shkollës Met Hasa që janë rikonstruktuar në sajë të kontributit të qeverisë holandeze dhe Bashkisë së Durrësit. Në këtë shkollë janë krijuar ambiente sportive jashtë shkollës ndërkohë që brenda saj ambientet janë moderne. Kryebashkiaku Dako dhe zv/ambasadorja e Hollandës në vendin tonë kanë përhëndetur nxënësit si dhe kanë vizituar ambientet e rikonstruktuara të shkollës.