Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe administrata e kësaj bashkie kanë dhuruar gjak në ndihmë të personave në nevojë dhe sidomos fëmijëve. Gjaku i dhuruar do të përdoret për të gjithë personat në nevojë. Gjithmonë bankat e gjakut të Shqipërisë kanë vuajtur mungesën e gjakut për shkak të numërit të vogël të dhuruesve por edhe faktorëve të tjerë. Dhurimi vullnetar i gjakut nga ana e kryebashkiakut Dako dhe administratës së Bashkisë është bërë në mbështetje të përpjekjeve të Kryqit të Kuq për grumbullimin vullnetar të gjakut pasi nevojat e mjekësisë sot për gjak janë shumë të mëdha ndërkohë që sasia e gjakut në spitale është tepër e vogël. Duke dhuruar gjak kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako u shpreh se dhurimi vullnetar i gjakut është një akt humanitar i një shoqërie të qytetëruar: “Dhurimi i gjakut nuk është thjesht një akt simbolik, por një akt, i cili sjell menjëherë të mira, për të gjithë ata që kanë nevojë për gjak. Bashkia e Durrësit ka mbështetur përpjekjet e Kyqit të Kuq në këtë drejtim dhe ne po bëjmë këtë dhurim vullnetar gjaku për të ndihmuar ata që kanë nevojë të ngutshme për gjak. Duke dhuruar gjakun ne solidarizohemi me përpjekjet e të gjithë atyre të sëmurëve që luftojnë për jetën. Çdo gram gjak i dhuruar do të thotë një ditë jete për fëmijët me talesemi dhe persona me sëmundje të tjera. Ky është një gjest human e qytetar ndaj të gjithë si administratë dhurojmë sot vullnetarisht gjak e do ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen.” Ndërkohë kreu i kryqit të kuq të Durrësit Agim Shehi, duke falenderuar kryebashkiakun Dako dhe punonjësit e administratës së Bashkisë së Durrësit u bëri apel edhe qytetarëve durrsakë të dhurojnë gjak. Sipas tij, megjithëse raportohen përqindje në rritje të numrit të qytetarëve që dhurojnë gjak, sërish ka pamjaftueshmëri të tij ndaj të gjithë duhet ti bashkohen aktit humanitar të dhurimit të gjakut.