Bashkia e Durrësit do të hedhë hapin e parë për të konkretizuar Marrëveshjen e Bashkëpunimit, që u nënshkrua më 10 korrik të këtij viti në Durrës nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako me kryetarin e Komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga. Një delegacion që do të kryesohet prej kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako do të jetë pas tre ditësh në Ulqin në përgjigje të ftesës së drejtuesve të kësaj Komune si dhe të vëllezërve ulqinakë, por jo pak i nxitur edhe nga veprimtaritë e Shoqatës Kulturore "Ulqini” që funksionon me shumë sukses në qytetin e Durrësit. Bashkë me drejtuesit e Bashkisë sonë në delegacion do të ketë përfaqësues të kësaj Shoqate. Pikërisht kjo vizitë me qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret midis dy qyteteve tona kanë qenë në fokusin e konferencës për shtyp të kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako I cili midis të tjerash theksoi: “Tashmë grupet e punës së institucioneve vendore të Durrësit dhe Ulqinit kanë përgatitur draftin e programit 1-vjeçar të veprimtarive të përbashkëta në disa fusha. Brenda muajit dhjetor të këtij viti programi parashikon hapjen e ekspozitave të piktorëve durrsakë si dhe shfaqjet e trupës teatrore dhe të orkestrës së harqeve “Aleksandër Moisiu” në Ulqin, ndërsa në Durrës do të hapet një ekspozitë e përbashkët etnografike dhe e arteve pamore të autorëve ulqinakë. Ndër aktivitetet e vitit 2011 në Durrës një rëndësi të veçantë do të ketë Sesioni shkencor me temë: “Ulqini dhe Historia e tij”. Në programin që do të nënshkruhet të shtunën nga drejtorët e Departamenteve homologe të kulturës janë parashikuar një sërë takimesh të artistëve dhe shkrimtarëve të të dy qyteteve si dhe veprimtari artistike, shkencore e sportive të përbashkëta. Festës tradicionale të Detit që kremtohet më 22 qershor në Durrës vitin e ardhshëm do ti bashkëngjitet edhe kontributi kulturor i qytetit të Ulqinit. Siç jeni në dijeni, në kuadër të zbatimit të Konventave Ndërkombëtare dhe Kartës së Autonomisë Lokale, Bashkia e Durrësit ka ndërmarrë një sërë binjakëzimesh me kryeqytete dhe qytete të ndryshme të Evropës.” Bashkëpunimi aktiv me qytetin e Ulqinit në fushat e administrimit publik; shkëmbimeve tregtare dhe të biznesit; arsimit, kulturës, sportit dhe trashëgimisë kulturore merr një rëndësi të dorës së parë për Durrësin veçanërisht për vlerat e përbashkëta turistike bregdetare. Këtë herë bashkia do të ketë partner kryesor komunitetin e qytetarëve me prejardhje ulqinake në Durrës, si ura më e mirë e komunikimit mes qyteteve tona.