Në përkujtim të 20 nëntorit 1943, në lapidarin simbol të kësaj dite, Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të gjithë atyre të rinjve luftëtarë e patriotë që u internuan në kampet e përqëndrimit nga nazistët gjatë luftës së dytë botërore. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e qëndror, veteranë të luftës etj. Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të sakrificave të gjithë atyre të rinjve që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist të vendit. Në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit 1943 qytetarët durrsakë përjetuan një ngjarje tronditëse, bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre. Këta të rinj durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku ndodhet ky lapidar, dhe më pas i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e shfarosjes si në Prishtinë, Mathauzen, Dakau etj. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, nga ana e tij deklaroi se sakrificat e këtyre njerëzve dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Durrësit dhe të krejt vendit do të përkujtohen me nderim në çdo kohë. Në emër të Bashkisë fjalën e rastit e mbajti drejtori i rinisë, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili u shpreh se:”Në pllakat memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë 43 emra të rinjsh që u vranë në kampet Mathauzenit etj. Ata të rinj durrsakë me sakrificën e tyre dhanë një mesazh të rëndësishëm, atë të luftës për liri duke sakrifikuar edhe jetën pasi atdheu është më i shtrenjti. Sakrificat e këtyre të rinjve mbeten një mesazh i fuqishëm për të gjithë brezat që e duan Shqipërinë. Ne i kujtojmë me respekt të thellë ngjarjet e protagonistët që e shkruan atë histori të lavdishme në të shkuarën, duke reflektuar për lirinë dhe vlerat e lirisë në jetën që bëjmë, shoqërinë ku jetojmë, botën që ndërtojmë. Nderimi i veprave të mëdha patriotike e i vetë protagonistëve të lavdishëm të së shkuarës së qytetit tonë duhet të mos mbetet thjesht një nderim ceremonial për të shkuarën, por të jetë njëkohësisht edhe vijimi i atyre veprave, përmes reflektimit në jetën e punën tonë, të vlerave që sot na mblodhën këtu, në emër të lirive e të të drejtave që u mbrojtën me jetë njerëzish.” Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita kur të rinjtë patriotë të Durrësit u internuan drejt kampeve të përqëndrimit.