Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka shpërndarë dhuratat e festave të fundvitit fëmijëve jetimë. Kryebashkiaku Dako ka zgjedhur ditën e Krishtlindjeve për të vizituar shtëpinë e foshnjës që ndodhet në Shkozet të Durrësit. Në këtë qendër trajtohen 48 fëmijë, 22 prej të cilëve rezidencialë dhe 26 ditorë. Kjo shtëpi e foshnjës që asistohet nga Bashkia e Durrësit trajton fëmijë nga 0 deri në 10 vjeç. Kryebashkiaku Dako ka festuar së bashku me fëmijët në një atmosferë të bukur të krijuar nga programi artistik i organizuar nga vetë fëmijët e kësaj shtëpie. Pas këtij programi kryebashkiaku Dako i ka premtuar fëmijëve që trajtohen aty se ata janë gjithmonë në vëmendje të Bashkisë e cila ka një sërë projektesh për zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare dhe se ndihma kësaj kategorie fëmijësh nuk do ti mungojë asnjëherë. Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako i ka uruar festat fëmijëve dhe u ka shpërndarë atyre dhuratat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.