Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Marc Perrin de Brichambaut i cili ndodhet për vizitë në vendin tonë. Në fillim të vizitës së tij në Durrës sekretari i përgjithshëm i OSBE-së së bashku me kryebashkiakun Vangjush Dako kanë vizituar amfiteatrin e Durrësit si dhe muzeun arkeologjik ku de Brichambaut ka admiruar dhe ka vlerësuar vlerat e jashtëzakonshme historike dhe arkeologjike të Durrësit. Më pas kryebashkiaku Vangjush Dako ka pritur sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së në Bashkinë e Durrësit ku ka zhvilluar edhe një bisedë në lidje me problemet lokale zgjedhore. Kryebashkiaku Dako është shprehur se Bashkia ka vijuar punën me listat paraparake të zgjedhësve dhe ajo që nevojitet për zgjedhjet lokale është garancia dhe siguria që pikërisht këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme. Më tej kryebashkiaku Dako është ndalur me detaje teknike që punën që ka bërë Bashkia e Durrësit në lidhje me listat e zgjedhësve në qytetin bregdetar. Nga ana e tij sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Marc Perrin de Brichambaut u shpreh se OSBE është në favor të përmirësimit të kushteve të zgjedhjeve dhe se do të ketë prezencë të gjerë të monitoruesve, që do të jenë bashkë me vëzhguesit lokalë në monitorimin e zgjedhjeve lokale. Më tej kryebashkiaku Dako dhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së kanë vijuar bisedën në lidhje me problematikat që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale.