Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka njoftuar të gjithë qytetarët e Durrësit se autobuzët e linjave ndërqytetëse të udhëtarëve do të zhvendosen nga sheshi përpara stacionit të trenit në hyrje të Durrësit. Kryebashkiaku Dako u shpreh se zhvendosja e vendit të nisjes së këtyre autobuzëve do të jetë e përkohshme dhe kjo do të bëhet për arsye se Bashkia do të fillojë rijetëzimin e sheshit përpara stacionit të trenit, një tjetër projekt madhor që po kryhet me investimet e Bashkisë në favor të qytetarëve: “Dua të njoftoj të gjithë qytetarët se për një kohë prej 90 ditësh autobuzët e linjave të ndryshme do të zhvendosen nga ky shesh. Të gjithë autobuzët e linjave Ishëm, Sukth, Manzë etj do të zhvendosen në rrugën e re të zonës së ish kënetës ndërkohë që autobuzët që udhëtojnë drejt Tiranës dhe drejt të gjithë qyteteve të Shqipërisë do të zhvendosen 50 metra më larg këtij sheshi pranë rrugës hyrëse të Durrësit. E gjithë kjo bëhet për arsye se Bashkia do të fillojë punën për rijetëzimin e këtij sheshi dhe pasi të përfundojë ky investim autobuzët do të rikthehen sërish në këtë shesh që do të jetë një stacion nisjeje për të gjitha këto linja. Ky është një tjetër investim që do të kryejmë në vazhdën e investimeve të Bashkisë së Durrësit në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës në favor të interesave të qytetarëve të Durrësit.” Rijetëzimi i këtij sheshi do të kushtojë rreth 135 milion lekë të rinj dhe përfshin përvec punimeve nëntokësore dhe asfaltimit të sheshit edhe rivitalizimin e hapësirave të gjelbëra, shtrim me gurë natyral të një sipërfaqeje prej 1300 m2, shatërvan etj. E gjithë zona ku do të punohet për rijetëzimin përbën një sipërfaqe prej 12 800 m2.