Bashkia e Durrësit në prag të sezonit turistik po mer një sërë masash me qëllim përmirësimin e infrastrukturës në zonën turistike si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit familjar. Në këtë kuadër Bashkia e Durrësit ka investuar nga fondet e saj në shtrimin e shumë rrugëve të brendshme në plazhin e Durrësit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përuruar pesë rrugë të brendshme në plazhin e qytetit bregdetar që janë rikonstruktuar me fondet e Bashkisë së Durrësit. Kryebashkiaku Dako deklaroi se këto investime i shërbejnë jo vetëm qytetarëve por edhe pushuesve që do të vijnë këtë sezon turistik plazhin e Durrësit: “Bashkia e Durrësit, gjithnjë e më shumë, po e zgjeron hartën e investimeve të saj të realizuara në këto 4 vitet e fundit. Këto investime të Bashkisë jo vetëm kanë përmirësuar infrastrukturës rrugore, atë të kanalizimeve dhe mjedisore, por ato kanë ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në zhvillimin e turizimit në përgjithësi, si dhe atë familjar në veçanti. Të tilla janë edhe investimet që përuruam sot. Bashkia e Durrësit, nëpërmjet fondeve të saj dhe falë një administrimi të shkëlqyer të taksave të qytetarëve durrësakë, mundësoi rikonstruksionin tërësor të disa rrugëve në zonat periferike të qytetit si: Rruga “Rrota e Kuqe”, “Pelikan”, “Vegimi”, “Albanopoli” dhe “At Zef Pëllumbi”. Janë rreth 3411 ml rrugë të shtruara nga të cilat do të përfitojnë më shumë se 300 banorë. Bashkia e Durrësit nuk është mjaftuar vetëm më shtrimin e këtyre rrugëve, por ajo ka ndërtuar edhe një sistem modern ndriçimi, vende parkimi, sipërfaqe të sistemuara midis blloqeve të banimit etj. Këto rrugë që inagurojmë sot janë pjesë e ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në qytetin e Durrësit dhe të filozofisë sonë për një zhvillim sa më intensiv në të ardhmen në përputhje me interesat sociale dhe ekonomike të qytetarëve. Këto investime në infrastrukturë u vijnë në ndihmë jo vetëm 300 banorëve, por edhe mbi 70 bizneseve që funksionojnë në këtë zonë. Zhvillimi Turistik i qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin, duke e përputhur atë me ruajtjen e identitetit tonë kulturor dhe historik, është moto jonë për për zhvillimin ekonomik të qytetit. Qytetarë të nderuar ju ftoj të jemi sërish së bashku për Durrësin. Puna jonë nuk ndalet sepse Durrësi nuk ndalet më! Puna dhe vetëm puna është alternativa jonë!” Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako deklaroi se puna e Bashkisë në përmirësimin e infrastrukturës në qytet do të vazhdojë të jetë intensive ndërkohë që po merren të gjitha masat për të krijuar kushte sa më të mira për një sezon turistik sa më mirë për të gjithë turistët që pritet të vijnë në Durrës këtë verë.