Bashkia Durrës mbështetur në situatën aktuale të menaxhimit të mbetjeve në vend dhe me mbështetje të IFC, programi MIMU, ndërmori nismën për përmirësimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve në zonën e Durrësit, duke ngritur një çështje shumë të rëndësishme, atë të depozitimit të sigurtë të mbetjeve dhe duke i hapur në këtë mënyrë rrugën sektorit privat për invesime. Bashkia Durrës mbështeti që në fazat e para projektin për hartimin e Planit Lokal të Menaxhimit të mbeturinave në territorin e Bashkisë. Kjo fazë ishte e domosdoshme për t’u ndjekur para mbërritjes në një fazë tjetër më të avancuar, atë të zgjidhjes të problemit të vendgrumbullimit aktual të mbetjeve bashkiake në zonën e Porto Romanos . Pa një plan të tillë të mirë e të studiuar që së shpejti pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak, nuk do të ishim në gjëndje bashkarisht të krijonim një projekt mbi ekzistencën e një Landfilli Rajonal për Durrësin. Plani përmban një program pune të detajuar në kohë për të arritur qëllimin kryesor të përmirësimit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në qytetet me Rregulloren e Re të Ndërmarrjeve të Shërbimeve Komunale. Eksperienca e mirë e Bashkisë Durrës me ekspertët e IFC do të ishte një kontribut i vlefshëm edhe për Bashkitë dhe Komunat e tjera të Qarkut Durrës para realizimit të projektit të ndërtimit të landfillit sanitar në alternativën më të mire, përzgjedhur nga Komiteti Drejtues i këtij projekti. Mbështetur në legjislacionin mjedisor shqiptar, Strategjinë Kombëtare të Mbetjeve dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve, Bashkia Durrës së bashku me IFC, në kuadër të programit MIMU, bashkëfinancuan studimin për gjetjen e vendndodhjes më të mirë si nga ana teknike, mjedisore, sociale, ekonomike, ligjore dhe pranimit nga publiku të landfillit sanitar për Zonën 2 të Mbetjeve. Ky landfill do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe do të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme në reduktimin e emetimit të gazrave serrë duke mbrojtur mjedisin përreth dhe duke sjellë përfitime të tjera ekonomike e sociale, si për shembull joshja e investimeve nga sektori privat dhe krijimi i vendeve të punës. Sot u realizua një ndër fazat e fundit të projektit dhe ekspertët vlerësuan 3 terrenet kandidate dukë përzgjedhur alternativën më të mirë duke u mbështetur në kritere të tjera (kostot e investimit, distancat e transportit, kushtet social-politike, disponimi i materialeve të ndërtimit, etj.). Rezultatet do t’u paraqiten anëtarëve të Komitetit Drejtues Publik, që do të diskutojë dhe, së fundmi do të bien dakord për vendndodhjen e mundshme më të mirë. Studimi do të përfundojë së shpejti dhe më pas do t’i nënshtrohet procesit të informimit publik në zbatim të Legjislacionit Mjedisor. Landfilli do t’u shërbejë rreth 450.000 banorëve dhe do të zëvendësojë të gjitha depozitat ekzistuese në qark. Ai duhet të ndërtohet sa më shpejt që të jetë e mundur pasi vendgrumbullimet aktuale paraqesin rrezik të madh jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e banorëve. Është planifikuar që funksionimi i tij të fillojë jo më vonë se viti 2015. Banorët do të informohen rregullisht mbi gjendjen e projektit dhe gjithë secili do të ketë mundësi të bëjë pyetje dhe ngrejë shqetësime në dëgjesat publike që do të mbahen së shpejti. Më shumë informacion mund të gjendet në faqen e bashkisë Durrës dhe qarkut Durrës, ose mund të merret në bashkitë respektive në zyrat e komunikimit me publikun. Procesi i zgjedhjes së vendit ka qenë transparent që në fillim dhe ka përfshirë të gjithë aktorët përkatës. Më poshtë përshkruhet i gjithë projekti deri në momentin e tanishëm. Në dhjetor 2010, një grup ekspertësh nga Austria dhe Republika Çeke u përzgjodhën mes një tenderi ndërkombëtar për të përgatitur studimin për vendndodhjen e një landfilli të ri rajonal për Durrësin. Studimi pritet të mbarojë dhe të publikohet përpara verës 2011. Rezultati më i rëndësishëm do të jetë një propozim për vendndodhjen më të përshtatshme për një landfill me standard evropiano - perëndimor për mbetjet urbane bashkiake. Për shkak të rëndësisë së informimit transparent të banorëve që në nisje të projektit, hapave të tij dhe gjendjen aktuale, të gjitha palët e interesuara ranë dakord që ta bazonin fushatën e informimit të publikut në disa shtylla, ku shkrimi i rregullt i artikujve në gazetë është një ndër to. I gjithë projekti mbështetet nga anëtarët e Komitetit Drejtues, ku janë përfshirë të gjitha aktorët nga ministritë, këshilli i qarkut dhe njësitë e qeverisjes vendore, Agjencia Rajonale e Mjedisit, Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik dhe OJF-të. Ky komitet takohet rregullisht së paku një herë në muaj, ku diskutohet ecuria e studimit dhe vendosen hapat e mëtejshëm. Hapi i parë i ekspertëve ka qenë përmbledhja dhe vlerësimi i të gjithë informacionit të vlefshëm. Nga njëra anë kjo nënkupton analizën e ligjeve aktuale dhe atyre të pritura, studimin e vëzhgimeve dhe studimeve paraprake mjedisore që disponohen, mbledhjen e hartave dhe dokumentave strategjike nga e gjithë zona. Më tej, ishte e domosdoshme që të parashikohej sasia e mbetjeve të ardhshme që do mblidhen në Durrës dhe në të gjithë qarkun. Përllogaritjet u bazuan në sasitë e sotshme të mbetjeve, dhe u projektuan për vitet e ardhshme. Kjo bëri të mundur përllogaritjen e hapësirës së mjaftueshme për landfillin sanitar, që duhet të jetë aq i madh sa të ketë një cikël jetëgjatësie 20 vjeçare. Pos kësaj, u supozua që landfilli do të zgjerohet në të ardhmen në një qendër moderne të administrimit të mbetjeve, ku do të zhvilloheshin edhe veprimtari të tjera si ndarja e kompostimi. Ndaj u ra dakord që ekspertët të shohin për një vendndodhje me sipërfaqe minimale 15 ha, por të mundur për zgjerim në 25 ha ose edhe më shumë. Për këtë proces janë marrë parasysh shumë kritere, si kushtet hidrogjeologjike e gjeologjike, rreziqet gjeoteknike, sipërfaqja dhe trajta e disponueshme e terrenit dhe largësia nga zona e banuar, në mënyrë që nga 18 vendndodhje të mundshme, mbetën 3 më të mirat, të ashtuquajtura “terrenet kandidate”.

Programi i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC)

Programi i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) pjesë e Grupit të Bankës Botërore për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve Urbane (MIMU) është një program dy vjeçar, i financuar bashkërisht nga IFC dhe Republika e Austrisë, Ministria Federale e Financave për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia). Objektiva të Programit janë përmirësimi i shërbimeve dhe praktikave të menaxhimit të mbetjeve në vend duke krijuar bazën dhe ndërtuar kapacitetet për të lehtësuar pjesëmarrjen dhe investimet e sektorit privat në projektet e menaxhimit të mbetjeve bashkiake (depozitimin, trajtimin dhe mbledhjen e mbetjeve). MIMU ofron: a) asistencë këshilluese për qeverinë në përmirësimin e kuadrit ligjor; b) asistencë këshilluese për bashkitë në përmirësimin e praktikave të menaxhimit të mbetjeve dhe thithjen e financimeve të reja nëpërmjet partneritetit publik privat; c) trajnim për të krijuar aftësi dhe njohuri të praktikuesve dhe autoriteteve për praktika të mira në sektorin e menaxhimit të mbetjeve.