Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka inspektuar punimet që janë duke përfunduar për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e hapësirave dhe fasadave të pallateve në hyrje të Durrësit, i cili është një investim i madh prej rreth 218 milionë lekë i Bashkisë së Durrësit e që ndryshon njëherë e përgjithmonë pamjen e kësaj zone duke krijuar një pamje moderne të një qyteti evropian. Kryebashkiaku Dako deklaroi se ky është projekti më i madh i Bashkisë deri tani që do të pasohet me projekte të tjera madhore të cilat po përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën në qytet: "E gjithë kjo zonë është rehabilituar duke krijuar një ambient shlodhës për banorët e kësaj zone por njëkohësisht duke krijuar edhe imazh të bukur e modern të një qyteti evropian për të gjithë ata që hyjnë në Durrës sepse kjo zonë është pikërisht pamja e parë me të cilën përballen ata që vijnë në qytetin tonë. Në këtë zonë ne po aplikojmë teknologjinë më të fundit përsa i përket lojërave për fëmijë ndaj e kemi emërtuar parku i shkencave. Ky projekt madhor do ët pasohet edhe me të tjera projekte të mëdha të cilat janë në funksion të lehtësimit të mëtejshëm të jetës së qytetarëve të Durrësit. Ne po punojmë për përmirësimin e infrastrukturës në qytet duke e shoqëruar atë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe të mjediseve shplodhëse por edhe të shtimit të këndeve të lojërave për fëmijët. Siperfaqet e gjelbëra janë rritur ndjeshëm me 40 % në qytet dhe synohet të dyfishojmë sipërfaqet e gjelbërta gjatë mandatit tjetër katër vjeçar . Vizioni i Bashkisë së Durrësit për vitet e ardhshme do të synoje në zhvillimin e hapsirave të gjelbëruara. Kemi mbjellë 4 000 pemë këtë mandat dhe do të mbjellim 6000 pemë në mandatin e ardhshëm, duke synuar të dyfishojmë hapësirat e gjelbërta në qytet." Rehabilitimi i kësaj zone përfshin krijimin e një zone të gjelbërt me sipërfaqe 7.700 m2, me 20 lloje pemësh e 50 lloje shkurresh, organizimin e një sheshi të ri shtruar me gurë natyralë në sipërfaqe 1.160m2, shtrim përgjatë rrugës kryesore me gurë natyral 4.900 m2, sistemim dhe shtrim i hapësirës përreth godinave 6.800m2, 8 hapësira të reja për lojëra fëmijësh të teknologjisë së fundit(parku i shkencave) 2.050 m2, rivitalizimi i fasadave të godinave ekzistuese 16.000 m2 etj.