Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim lordin britanik Riçard Best, presidentin e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore i cili ndodhej për vizitë në vendin tonë. Në fillim të takimit kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako pasi ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis vendit tonë dhe Britanisë së Madhe i ka bërë një resume të shkurtër lordit britanik në lidhje me resurset e qytetit të Durrësit. Sipas kryebashkiakut Vangjush Dako mund të ketë bashkëpunime të shumta arsimore dhe kulturore midis një qyteti universitar si Durrësi me qytete universitare britanike. Në në këtë kuadër Lordi britanik Riçard Best ka deklaruar se janë të gjitha mundësitë për projekte të përbashkëta me Bashkinë e Durrësit për për t’u dhënë mundësi studentëve durrsakë, që të përfitojnë bursa studimi në universitetet britanike. Lordi britanik ka deklaruar se mund të ekzistojë edhe një bashkëpunim konkret me bursa studimi në lidhje me unversitetin e Shefildit në Angli, një nga universitetet më prestigjiozë në botë. Best si dhe përfaqësues të universitetit të Shefildit që e shoqëronin në këtë vizitë janë shprehur të hapur që studentë durrsakë të studiojnë në këtë universitet britanik ndërkohë që kanë propozuar edhe që Bashkia e Durrësit të mundësojë me bursa disa mastera pasuniversitare apo doktoratura të punonjësve të administratës së Bashkisë pranë universitetit të Shefildit. Nga ana e tij kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi gatishmërinë e plotë të Bashkisë së Durrësit për të bashkëpunuar në disa drejtime me universitetet dhe institutet e ndryshme në Britani përfshirë edhe atë të bursave të studimeve pasuniversitare në universitetin prestigjioz të Shefildit. Kryebashkiaku Dako dhe lordi britanik Best kanë shprehur besimin se në të ardhmen e afërt do të ketë bashkëpunime të shumta midis Durrësit dhe qyteteteve britanike në disa fusha e sidomos në ato kulturore e arsimore.