
Bashkia e Durrësit ka promovuar projektin “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit”. Ky projekt është financuar nga Qeveria Japoneze, nëpërmjet Fondit Japonez për Zhvillim Social (JSDF), me ndihmën e Bankës Botërore në Shqipëri dhe implementohet nga Qendra Kombëtare për Studime Sociale. Projekti «Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit » shtrihet ne Bashkine e Tiranes dhe Durresit dhe synon të krijojë hapësira punësimi, formimi profesional dhe zhvillimi për të rinjtë. Ky është një nga aksionet e pushtetit vendor të Bashkisë së Durrësit e ndërmarrë në përputhje me strategjinë lokale, për reduktimin e varfërisë dhe përjashtimit social në dy qytetet më të mëdha të vendit. Objektivi i kësaj ndërhyrjeje janë të rinjtë në vështirësi ekonomike dhe ata me probleme sociale. Programi i projektit zhvillohet në tre komponentë kryesorë: Ngritja e kapaciteteve të të rinjve nëpërmjet aftësimit për jetën dhe rritjen e aftësive profesionale, vetëpunësimi i të rinjve nëpërmjet mbështetjes financiare në formën e mikrogranteve për fillimin e një biznesi, zhvillimi i komunitetit me pjesëmarrjen e të rinjve dhe në përputhje me nevojat e tyre sociale, kulturore dhe ekonomike. Ky projekt po zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me aktorët e tjerë të tregut të punës (në Durrës) siç janë: operatorët publikë dhe privatë të ofrimit të shërbimeve të formimit profesional, biznesi lokal dhe shoqëria civile. Projekti po zhvillohet për një periudhë 3-vjeçare (2010-2013). Kohëzgjatja i jep mundësi këtij projekti, të krijojë një model të kontributit të pushtetit vendor në përmirësimin e shërbimeve të punësimit dhe formimit profesional në kushtet specifike të zhvillimit të tregut të punës të dy qyteteve më të mëdha të vendit, që kanë specifika të zhvillimit ekonomik, por edhe të problemeve sociale. Ky projekt eshte pare me prioritet nga Bashkia e Durresit sepse është shumë i rëndësishem fuqizimi dhe pjesemarrja e të rinjve në aktivitete që nxisin punësimin dhe vetpunësimin, promovimi i sjelljeve të shëndeteshme dhe fuqizimi e një pjesemarrje aktive në jetën sociale të komunitetit. Komponenti kryesor i këtij projekti synon formimin profesional dhe aftësimin e të rinjve për tregun e punës. Nga studimet e realizuara ne kuader te ketij projekti papunësia e të rinjve në qytet vjen si pasojë e mungesës apo aftësive të pakta profesionale, nivelit të ulët të edukimit, dhe mungesës së ekperiencës së mëparshme profesionale. Një ndër komponentet e tjerë të projektit është edhe zhvillimi I komuniteteve të identifikuara si komunitete me probleme sociale , për të rritur aksesin e të rinjve në aktivitete social-kulturore.